Transmetuar më 20-11-2019, 16:23

Kur Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 flamurin në Vlorë, është i njohur udhëtimi maratonë nga Prishtinë në Vlorë i Isa Boletinit dhe disa luftëtarëve të tjerë nga Kosova, të cilët ishin përzgjedhur për të qenë mes patriotëve të shumtë në shpalljen e Pavarësisë së kombit tonë.

Edhe pse një vit më vonë Kosova dhe troje të tjera shqiptare u ndanë padrejtësisht nga territori shqiptar,  28 Nëntori mbeti një ditë e shënuar në histori, për çdo shqiptar.

Kosova si shtet i pavarur do të ketë festë zyrtare atë të Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 Nëntor në Kosovë, ashtu si në Shqipëri, do të jetë ditë pushimi.

Ramush Haradinaj, kryeministri në detyrë ka marrë vendim që 28 Nëntori, të shpallet ditë pushimi në Republikën e Kosovës.

Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook tha se e mori për t’i respektuar vlerat e traditës kombëtare shqiptare.

Postimi i plotë i Haradinajt:

"Me rastin e Ditës së Flamurit, mbështetur në Ligjin për Festat Zyrtare, kam marrë vendim që 28 Nëntori, të shpallet ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar vlerat e traditës kombëtare shqiptare. Vendimi, që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, është i motivuar nga aspekti historik, tradicional dhe politik"./NOA.al