Transmetuar më 20-11-2019, 16:34

Ka përfunduar afati për ankimimin e kandidatëve për prokuror të përgjithshëm.

Gjykata Administrative e Apelit bëri të ditur se asnjë nga 3 kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka ankimuar renditjen e KLP, brenda afatit zyrtar.

Kështu, ndryshe nga paralajmërimi i një dite më parë, kryeprokurorja në detyrë, Arta Marku, ka hequr dorë nga ankimimi, pasi ajo ishte renditur e dyta në listë.

Një ditë më parë, Arta Marku i kërkoi Këshillit pikëzimin e detajuar, informacion që kandidates ia vunë në dispozicion sot.

KLP pritet që t’i dërgojë listën Kuvendit për votim. Nëse brenda një muaji asnjë nga kandidatët nuk siguron shumicën e votave të Kuvendit, 3/5-at, atëherë votohet kandidati i renditur i pari në listë, që është Olsian Çela.

Në garën për Prokuror të Përgjithshëm janë përveç Olsian Çelës dhe Arta Markut, edhe Fatjona Memçaj, por kjo e fundit ka më pak gjasa për të marrë postin e lartë të organit të akuzës./NOA.al