Transmetuar më 06-12-2019, 17:10

Eneda Tarifa, pas mbrëmjes së dytë të Këngës Magjike, shihet si favoritja kryesore për të fituar këtë festival.

Kënga e saj është pëlqyer së tepërmi në rrjetet sociale nga fansat, por edhe nga kolegët e saj, që e konsiderojnë para kohe atë fituese.

Nata finale e këtij festivali do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje, më 7 dhjetor.

Eneda Tarifa me këngën “Ma zgjat dorën”, trajton një tematikë që lidhej edhe me momentet dramatike që kaloi vendi ynë, ku mbi motive dashurie nga dikush kërkohet ndihma e tjetrit, në një moment të vështirë.

Këngën ajo e ka realizuar në bashkëpunim me Flori Mumajesin, fitues i edicionit të kaluar të Këngës Magjike.

Pikërisht për këtë arsye, ndonëse ka pasur përkrahje të mjaftueshme, Eneda ka marrë edhe ndonjë sulm, madje të ashpër, teksa i vihen në diskutim aftësitë e saj.

E ndërsa Eneda Tarifa kërkonte mbështetjen e publikut në Instagram, kishte edhe nga ata që e kritikuan.

“Ty të desht vetëm tërmeti të bjerë e të votojn të gjithë ty prej këngës. Unë bëj këngë që kanë lidhje me realitetin, plus i herë s’është projekti jot, ti veç këndon aty asgjë tjetër s’është e jotja. Ti je komercialiste e dashun”, i ka shkruar një fanse, që duket se mund të jetë edhe ndonjë e afërme e ndonjë prej konkurrenteve të tjera ose ndonjë rivale e saj.

Megjithatë, nuk mund të vihen në dyshim aftësitë dhe zëri i Eneda Tarifës. Ajo pas performancës ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme në rrjetet sociale, dhe shihet si favoritja kryesore e festivalit.

Pjesë e jurisë këtë vit janë Enkel Demi, Arben Skënderi, Armend Rexhepagiç, Jonida Maliqi, Dj Missrose dhe Dj Stone.

Ky edicion i festivalit “Kënga Magjike” është realizuar nën moton “Këndoj për të ndërtuar”, pasi të ardhurat e biletave për tri netët finale të festivalit, do të shkojnë për rindërtimin e shtëpisë të një familje të prekur nga tërmetet e fundit./NOA.al