Transmetuar më 06-12-2019, 18:01

Kompozitori Edmond Zhulali tha sot se me vargjet që aktori Çun Lajçi, të cilat i shkroi posaçërisht në ditët më dramatike teksa Shqipëria u gjunjëzua, pas tërmetit shkatërrimtar, do të krijohet një këngë.

Disa nga artistët më të njohur në vend, nisur nga ngjarja tragjike që preku çdo shqiptar anembanë, kanë menduar që t’i kushtojnë asaj një këngë, ndërsa janë zgjedhur vargjet e saj. Mbetet ende enigmë se kush do ta këndojë këtë këngë, dhe cilët artistë të tjerë do të angazhohen.

Gjithsesi, besohet se do të jetë një grup këngëtarësh nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët do t’i këndojnë momentit dramatik, me lajtmotiv shprese dhe ringritjeje, ashtu siç edhe kombi ynë është bashkuar e ka rezistuar në çdo moment të vështirë dhe delikat që ka kaluar në histori.

Vargjet e Çun Lajçit, dedikuar Shqipërisë, prekën dhe solidarizuan edhe më tepër shqiptarët, ndërsa ato vargje së shpejti pritet të ndërthuren edhe me melodi.

T’ kemi nanë moj Shqipni

Rrehin zemrat n’tela t’sharkisë

gjëmon kanga

moj Shqipni mos thuej mbarova

por s’asht Isa janë djemtë e ri

që edhe dekën ta përpijnë moj zojë e randë

moj zojë e mirë

se je nanë

edhe rrajtë t’i lidhin n’gurë

s’t’lanë m’u dridhë

djepa prap ke me përkundë

Njefsha t’mirën për ty Shqipni

që kurrë s’m’u lige

edhe kangën kurrë s’ma këpute

bane deka e kurrë nuk qave

s’t’piku loti përmbi gurë

çoje kryet ta puthi ballin zojë e randë

t’i marr dhimtë

e t’i vari n’sqep t’skyfterit

atje naltë n’t’kuqin flamur

Lugut t’Fanit po zbret Kosova

rreptë si Isa do djem t’ri

me t’dhanë shpirt nër gërmadha

me t’dhanë zemra

se t’kemi nanë mori Shqipni