Fitore morali ndaj Skënderbeut pas tërmetit tragjik, flet heroi i Teutës: Goli dedikim, qytetit të Durrësit
Transmetuar më 08-12-2019, 19:26

Pas tërmetit tragjik që goditi kryesisht Durrësin, ekipi i këtij qyteti është rikthyer në fushë, në ndeshjen e javës së 14-të të Kategorisë Superiore, ku edhe gjeti fitoren në fundin e takimit të luajtur sot në “Niko Dovana”, ndaj Skënderbeut.

Tifozët durrsakë, ndonëse të paktë në numër, shpalosën një bonderolë gjatë ndeshjes, në kujtim të viktimave të tërmetit.

Autori i golit të fitores Lorenco Vila, nuk e fshehu gëzimin, duke ia dedikuar atë qytetit të tij.

“Goli i parë? Ia dedikoj qytetit të Durrësit pas asaj tragjedie që kaloi dhe jam shumë i lumtur që shënova këtë gol të fitores. Kemi kaluar javën më të vështirë të kampionatit sepse ndodhi një tragjedi dhe çunat ishin të shokuar. E kishim mendjen aty por me ndihmën e trajnerit e kaluam atë situatë. Jam shumë i lumtur që shënova dhe fituam”, tha Vila.

Pas kësaj fitoreje, ai tha se gara po bëhet edhe më e fortë.

“Të gjitha skuadrat janë aty. Me një fitore mund të ngjitesh në vendin e parë dhe me një humbje shkon në “Play Out””.

Lidhur me karrierën personale, lojtari durrsak u shpreh: Jam i ri dhe dua më shumë minuta për të treguar cilësitë. Shpresoj që me këtë gol që shënova të marr më shumë minuta dhe të fitoj vendin titullar dhe besimin e trajnerit. Duhet të jap akoma më shumë sepse pres më shumë nga vetja. Me më shumë minuta mund të tregoj se vlej edhe më shumë.”

Po sot në ndeshjen e javës së 14-të Laçi fitoi 3-0 ndaj Flamurtarit. Një ditë më parë, Bylis fitoi 2-1 me Partizanin, Kukësi mundi 3-1 Tiranën dhe Luftëtari humbi 0-2 me Vllazninë.

Kryeson Partizani me 25 pikë, ndjekur nga Kukësi 24, Bylis 23, Laçi dhe Teuta me nga 22, dhe mbyllin klasifikimin Luftëtari me 8 pikë dhe Flamurtari me 5 pikë. Tirana ndodhet në kuotën e 19 pikëve, shumë larg zonës së ftohtë.

Teuta-Skënderbeu 1-0

Shënues: 90′ L. Vila

Teuta: Frashëri, Kuros, Arapi, Hoxha, Todorovski, Avdyli, Gashi (46′ Vecaj), Aleksi, Çyrbja (25′ L. Vila), Nikaç, E.Vila (75′ Beqja). Trajner: Bledi Shkëmbi

Skënderbeu: Koliçi, Meksi, Dita, Pollozhani, Pëllumbi, Daja, Esien (68′ Taipi), Gripshi (81′ Elezi), Ndeki, Bregu, Krasniqi (85′ Oto Xhon). Trajner: Ilir Daja

KV: Gashi, Aleksi, Arapi, Beqja / Dita, Esien, Daja, Pollozhani, Meksi, Pellumbi

Gjyqtar: Kreshnik Bajramaj

/NOA.al/

Loading...
Loading...