Transmetuar më 10-12-2019, 15:45

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për gjyqin e çështjes "Babale" duke thënë se Edi Rama po rikthen gjyqet politike kundër opozitës.

Në postimin e tij në Facebook, Basha doli në mbrojtje të ish-deputetit Ervin Salianji që denoncoi për trafik droge vëllain e Ministrit të Brendshëm.

"30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit", shkruajti Basha.

Më pas shtoi se gojën e Ervin Salianjit apo të ndonjë përfaqësuesit të Partisë Demokratike nuk do e mbyllë askush.

"Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike. Beteja jonë me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me Qeverinë e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në drejtësi, nuk ka për tu ndalur", përfundoi Basha.