Zyrtare/ Rama firmos vendimin për të gjithë punonjësit e administratës dhe të bashkive: Zero…
Transmetuar më 10-12-2019, 18:40

Qeveria me një vendim të posaçëm ka vendosur që të mos ketë asnjë shpërblim për punonjësit e administratës këtë fundvit. Madje as për ata që punojnë në bashki apo dhe ato në shoqëri, gjysmë shtetërore.

Kryeministri Rama paralajmëroi pak ditë më parë se këtë vit nuk do të ketë shpërblime për atë pjesë të administratës që kanë përfituar gjatë viteve të fundit.

Vendimi erdhi pas gjendjes së jashtëzakonshme që po kalon Shqipëria pas tërmetit të 26 nëntorit ku pati 51 viktima në zonën e Durrësit dhe të Thumanës.

Vendimi është marrë që më 6 dhjetor dhe parashikon ndalimin e përdorimit të fondit të posaçëm, rezervë të institucioneve ku parashikohet edhe organizimi i aktivitetet kulturore apo i shpërblimeve. “Pika 9, e vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, riformulohet, si më poshtë vijon: “9. Përjashtimisht për vitin 2019, fondi i veçantë i institucioneve qendrore, buxhetore dhe jo buxhetore, institucioneve të vetëqeverisjes vendore, njësive të fondeve speciale, institucioneve publike, të krijuara me ligj të posaçëm, ndërmarrjeve dhe shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, në varësi të institucioneve qendrore dhe të vetëqeverisjes vendore, nuk do të përdoret për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve”, thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave me numër 781.

Janë urdhëruar që të njëjtën gjë ta ndërmarrin edhe bashkitë, që pjesa më e madhe e tyre qeverisen nga socialistët.

Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare më të fundit dhe hyn në fuqi menjëherë. /NOA.al

Loading...
Loading...