Transmetuar më 10-12-2019, 19:52

Ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pas skandalit për zhdukjen e 713 milionë lekëve nga banka, u arrestua pak vitë më parë për një periudhë të shkurtër dhe më pas u shkarkua nga detyra.

Ai edhe pse u dëmshpërblye me qindra milionë lekë, ka paditur sërish shtetin shqiptar në Strasburg për shkarkim të padrejtë.

Ardian Fullani pas raportimeve se ka paditur sërish shtetin nuk ka bërë asnjë reagim, madje as Banka e Shqipërisë dhe as autoritetet e tjera të vendit që ai ka paditur, çka tregon se qëndron padia e tij për t’u shpërblyer ose rikthyer në detyrën që mban aktualisht Gent Sejko.

Por pas arrestimit ai doli i pafajshëm dhe iu drejtua gjykatës ku kërkoi dëmshpërblim dhe rikthim në detyrë.

Shkalla e parë e Gjykatës Administrative vendosi shpërblimin e tij me 12 paga mujore.

Por ai mbeti i pakënaqur nga ky shpërblim dhe e çoi çështjen në Apel, ku u vendos dëmshpërblimi me 56 paga, me një vlerë totale prej 42 milionë lekë të reja.

Duket ish-Guvernatori nuk ndalet me kaq. Ai ka vendosur ta çojë çështjen në Strasburg. Fullani ka kërkuar nga kjo gjykatë rikthimin e tij në detyrë, në krye të Bankës së Shqipërisë, me pretendimin se shkarkimi i tij është bërë në shkelje të nenit 8 të konventës së të drejtave të njeriut, si dhe dëmshpërblim për dëmet, që sipas tij, i janë shkaktuar në reputacion dhe ndershmëri.

Palët që ish-Guvernatori ka paditur në Gjykatën e Strasburgut janë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe Parlamenti Shqiptar, pasi ishin pikërisht këta që vendosën për shkarkimin e tij nga detyra, pas vjedhjes së miliona lekëve nga dega e thesarit të bankës së Shqipërisë në Tiranë.

Por pas padisë, mësohet se Gjykata e Strasburgut i është drejtuar me 3 pyetje shtetit tonë. Së pari, Strasburgu kërkon të dijë nga shteti shqiptar se a mund të qëndrojnë pretendimet e ish-Guvernatorit, Ardian Fullani se është viktimë e një shkelje të Konventës dhe të nenit 34, në lidhje me gjetjet e gjykatave vendëse ndaj tij.

Së dyti, është kërkuar përgjigje edhe nëse i ka shteruar Fullani të gjitha mjetet juridike efektive siç kërkohen nga neni 35 1 i Konventës në lidhje me ankesën e tij për nenin 8. Pyetja e tretë që Gjykata e Strasburgut ka dërguar është nëse ka patur një shkelje të nenit 8 1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut. “Në lidhje me gjetjet e gjykatave vendase, aplikanti mund të pretendojë se është viktimë e një shkeljeje të Konventës në kuptimin e nenit 34 (shih, për shembull, Kurić dhe të tjerët kundër Sllovenisë [GC], nr. 26828 / 06, 259-62, ECHR 2012 (ekstrakte), dhe Konstantin Markin kundër Rusisë [GC], nr 30078/06, § 82, KEDNJ 2012 (ekstrakte); A i ka shteruar aplikanti të gjitha mjetet juridike efektive siç kërkohen nga neni 35 1 i Konventës në lidhje me ankesën e tij për nenin 8? Në veçanti, kërkuesi kërkohej të paraqiste një ankesë kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese, në përputhje me nenin 131 (f) të Kushtetutës dhe nenet 71, 71 / a, 76 dhe dispozitat e tjera përkatëse të Ligjit të Gjykatës Kushtetuese, të ndryshuar me ligj . nr. 99/2016; Pa cenuar pyetjet nr. 1 dhe 2, ka pasur një shkelje të nenit 8 1 të Konventës”, thuhet në kërkesën e Gjykatës së Strasburgut.

Ndërkohë Avokati i Shtetit ka afat deri brenda muajit janar të vitit 2020 që të kthejë përgjigjet e tre pyetjeve të parashtruara nga Strasburgu. Do të jetë pikërisht avokatia ajo që duke u bazuar në vendimet e marra nga gjykatat në vend si dhe vendimin që mori Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe Parlamenti Shqiptar për ta shkarkuar nga detyra, të japë përgjigje nëse janë vendime të bazuara në ligj apo ish-Guvernatorit i janë shkelur të drejtat e njeriut.

Nga buxheti i vendit, vetëm nga gjykatat vendase, për shkarkime të konsideruara të padrejta nga ana e tyre, janë dhënë me qindra milion euro gjatë viteve të fundit./NOA.al