Transmetuar më 10-12-2019, 21:52

Presidenti Ilir Meta tregoi në Syri TV momentet e para të reagimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Meta tha se nuk është informuar fillimisht për ngjarjen.

“Kam qenë në shtëpi kur ka ndodhur tërmeti. Fillimisht kam menduar që nuk ishte një tërmeti i këtyre pasojave që rezultoi më pas. Për fat të keq nuk kam pasur informacion që është kjo situatë, sepse është situatë alarmante, si në gjendje lufte”, tha Meta.

Moderatori Çim Peka tha se katër minuta pas tërmetit, Rama ka shpërndarë një mesazh për kryebashkiakët ku i paralajmëron për dramën, por Meta tha se ai nuk është informuar.

Në lidhje me reagimin e shtetit pas tërmetit, Meta tha se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë.

“Nuk kam pasur asnjë informacion zyrtar, por sapo kam marrë informacionin se në Durrës ka disa persona nën rrënojat e godinave, kemi njoftuar përmes punonjësve të Gardës, policinë e Durrësit për të dhënë ndihmën. Sapo kam marrë vesh që kemi një viktimë në Kurbin, e kam kuptuar se kemi një situatë serioze dhe kam shkuar në Spitalin e Traumës dhe më pas më Thumanë ku e kam kuptuar se do ketë jo pak viktima.

Në atë moment kam folur me zotin Haradinaj, ku më ka thënë për mobilizimin për të ardhur në Shqipëri. Kam shkuar më pas në Durrës ku e kam parë se ishte si një situatë lufte. Shumë gjëra mund të ishin organizuar më mirë, por nuk mund të themi se nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm”, tha Meta.

Kreu i shtetit nuk komentoi faktin që tek rrënojat ku po vdisnin njerëz nuk kishte prokurorë dhe as dyshimet se pallatet që po shemben janë ndërtuar me betonin e familjes së ish-kryebashkiakut të Durrësit.

Meta komentoi edhe mungesën e opozitës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

“Ka një format për mënyrën se si organizohen mbledhjet e Këshillit të Sigurisë. Nuk doja të bëhesha pjesë e një debati se cila opozitë duhet të ftohet. Mbledhjen nuk e thirra më parë, pasi ishte emergjenca e pare”, tha Meta.