Pretenca për Salianjin, Kryemadhi: Sulm i orkestruar politikisht
Transmetuar më 10-12-2019, 22:03

Kryetarja e Levizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar për çështjen “Babale” dhe për pretencën që dha sot prokuroria, ndërsa akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama duke e quajtur atë si “autor të saj”.

Sipas saj demokracia në vend është në rrezik. “Pretenca e sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent”, shkruan ajo në facebook.

Postimi i Kryemadhit

Ky dhjetor i 29-të i demokracisë në Shqipëri, në vend që të na gjente me një shtet të konsoliduar të së drejtës dhe me demokraci funksionale, i cili do të ishte i denjë për familjen evropiane, fatkeqësisht po shohim se po rrëshqet drejt një sistemi autokratik.

Pretenca e sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent.

Ky sulm i orkestruar politikisht duke përdorur gjithashtu edhe sistemin e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët nën frikën e vettingut janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë, u parapri edhe nga ngjarje të tjera po kaq të rrezikshme në kurriz të demokracisë sonë të brishtë.

Kërkesa për Azil e drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit z. Agron Tufa pas kërcënimeve të marra për shkak të punës së tij, prishja e qëllimtë, pikërisht në datë 8 dhjetor e godinës nr.15 në Qytetin Studenti, që mbart simbolin e revoltës studentore për demokraci si edhe paraqitja për miratim në Kuvend e Paketës së Ndryshimeve Ligjore për nënshtrimin e plotë të medias janë akte, të cilat po e rikthejnë Shqipërinë në vitet e errta të diktaturës.

Nga një qeveri e ardhur në pushtet nga votat e blera dhe të rrëmbyera në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar dhe paratë e oligarkëve të PPP nuk mund të presësh as demokraci, as shtet të së drejtës, as zhvillim ekonomik, as integrim evropian.

Opozita ka mision të saj parësor dhe kombëtar mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e fjalës se lirë dhe medias, mbrojtjen e votës së lirë. Asgjë nuk është më e shtrenjtë dhe më me vlerë se liria. Opozita së bashku me qytetarët shqiptarë nuk do rreshtin së luftuari për një demokraci reale dhe funksionale.

Sot pas 29 vitesh, fatkeqësisht, po i rikthehemi me forcë po të njëjtave thirrje, të cilat ushtuan nga studentët: “Poshtë diktatura” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Loading...
Loading...