Transmetuar më 10-12-2019, 23:06

Gazetarja Klodiana Lala ka debatuar me ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji, i cili është i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” për të folur mbi pretencën e Prokurorisë, që kërkoi 1.6 vite burg për të për çështjen “Babale”.

Gazetarja Lala i kërkoi disa herë Salianjit të sqarojë dëshminë e Fredi Alizotit, i cili tha në një prej seancave gjyqësore se ish-deputeti i PD i kishte premtuar 200 mijë euro.

Salianji nuk iu përgjigj pyetjes së drejtpërdrejtë të gazetares, por vijoi të lexojë përgjimet e Prokurorisë për çështjen “Babale”.

Pjesë nga debati: Lala: Më jep argumentin si e rrëzon dëshminë e Alizotit. Kemi qenë bashkë në seancë, kur ka dhënë dëshminë e gjatë dhe iu implikon direkt. Salianji: Ai ka marrë lekë. Lala: I kishe premtuar 200 mijë euro pra. Sqaroje këtë histori. Salianji: Nëse ka një komunikim të vetëm me mua, një takim të vetëm, unë iki nga kjo punë. Po s’ka fare, se këtu është kjo çmenduri. Deklarimin që ka bërë ish-drejtori i Policisë Lushnje dhe drejtori thonë që ne nuk e njohim këtë person. Lala: E kemi sqaruar këtë, por çështja është jeni apo jo ju pjesë e kësaj historie? Salianji: Drejtori i Policisë Lushnje thotë se e ka takuar vetëm një herë këtë person më 1 qershor. Përgjimi telefonik tregon se janë takuar gati 30 herë. Lala: Aty ka shpërdorim të hapur detyre. Na jep argumente që je jashtë kësaj historie.