Transmetuar më 12-12-2019, 09:32

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mesazhet nga Beogradi se duhet të kemi një kompromis pa njohje të Republikës së Kosovës, i ka quajtur “provokime”.

“Mesazhet nga Beogradi që duhet të kemi një kompromis pa njohje të Republikës së Kosovës, janë provokime. Pavarësia e Kosovës është një kompromis.

Dialogu është i mundur bazuar në një parim: Dy shtetet duhet të njohin njëra-tjetrën si fqinj të barabartë, që lëvizin drejt integrimit në familjen Euro-Atlantike”, ka shkruar presidenti Thaçi në Tëitter.

Një ditë më parë Presidenti serb Aleksandër Vuçiç për të përditshmen greke, Katimerini ka deklaruar se, “Serbia është e gatshme të bisedojë për kompromis sa i përket zgjidhjet së çështjes së Kosovës”.

Teksa është pyetur në lidhje me mundësinë e korrigjimit të kufijve si mundësi e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, Vuçic ka hezituar që të përgjigjet.

“Jemi të gatshëm dhe të hapur të bisedojmë për çfarëdo zgjidhje kompromisi. Disa po përmendin modele të tjera, por asgjë konkrete nuk po ofrojnë.

Nëse dikush mendon se mund të vi në Beograd dhe të na thotë ta njohim Kosovën si shtet të pavarur, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç./b.l/noa.al/