Transmetuar më 12-12-2019, 10:59

Debate të ashpra janë shënuar në Komisionin për Edukimin, teksa po diskutoheshin dy projektligjet e ndryshuara për mediat audiovizive dhe për ato elektronike.

Pedagogu Mark Marku ka thënë hapur se ligjet cenojnë lirinë e mediave, duke thënë se po vendoset vendi në diktaturë.

“Më duket një paradoks kjo që po bëhet këtu. 15 organizata ju kanë bërë thirrje ta ndaloni këtë procedurë. Po cenoni rëndë lirinë e mediave. Ai që e ka bërë këtë ligj është një injorant total në fushën e mediave. Ai që ka shkruar këtë ligj është injorant. Nëse doni ta beni median të shtypur siç e thotë në ligj bëjeni. Por ne kemi një përvojë të gjatë me ata qe kanë tentuar të cenojnë lirinë e mediave. Mos bëni ligje kot se ne do ta vazhdojmë rezistencën tonë”, u shpreh Marku.

Duke iu drejtuar ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, ai shtoi se Kuvendi është kthyer në furgon.

“Zoti Marku, ruani etikën”, tha Kumbaro, e cila më tej u largua.

Nga ana e tij Marku shtoi se meqenëse vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, rezistenca duhet bërë në komision.

“Figurat e Kryeministrit i perkthejmë në ligje. Kap ça të kapesh dhe të bësh një ligj. Një metaforë dhe e bën ligj. Metafora e kazanit kthehet në ligj. Kjo është diktaturë”, deklaroi Marku. /a.y/noa.al