Transmetuar më 12-12-2019, 11:13

Policia e Gjirokastrës del me deklaratë lidhur me operacionin e koduar “Subashi”, gjatë të cilit mëngjesin e sotëm nga ana e efektivëve të RENEA dhe bluve të qytetit të gurtë, u vu në pranga një person i shpallur fajtor për vrasjen e kushëririt të tij dhe plagosjen e tjetrit.

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i të shumëkërkuarit Endrik Lluka, 31 vjeç, banues në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër.

I riu ishte shpallur në kërkim, pasi gjykata e ka dënuar me 35 vjet burg për veprat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ai akuzohet se në 22 mars, ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij Dorian Lluka dhe ka plagosur kushëririn tjetër Birbil Lluka.

Gjatë operacionit, forcat Renea kanë ushtruar kontroll në banesën e Bexhet Llukës, 57 vjeç, i ati i Endrikut. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri snajper, dylbi dhe fishekë luftarakë.

Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë edhe i Bexhet Llukës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Krimi i afro tre viteve më parë ndodhi pasi dy vëllezërit e rrahën Endrikun në ambientet e një lokali, dhe ky i fundit u kthye pak më vonë, për ti vrarë.

Ngjarja ndodhi në mars të 2016 në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Shtëpëz. Gjithçka për shkak të një konflikti për motive pronësie dhe një borxhi të pashlyer. /a.y/noa.al