Transmetuar më 12-12-2019, 11:44

Pas akt-konstatimit të Institutit të Ndërtimit, i cili i shpalli të pabanueshme tre godinat në “Qytetin Studenti” si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, vijoi puna me shembjen e tyre. Familjet që i kishin zaptuar gjatë viteve të tranzicionit, janë sistemuar në banesa me bonus qiraje, si të gjitha familjet e tjera të prekura nga tërmeti.

Teksa ndoqi nga afër shembjen e godinave, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi të drejtë vendimin për t’i larguar banorët nga dhomat e ish-godinave të “Qytetit Studenti”, të cilat përbënin rrezik për jetën e tyre dhe sisteminin në banesa me bonus qiraje me kushte dinjitoze.

Duke i falënderuar për bashkëpunimin, Veliaj nënvizoi se të gjitha ato familje që lanë godinat, të cilat i kishin uzurpuar gjatë viteve të tranzicionit kanë kushte shumë herë më të mira në banesat e tyre të reja.

Ndërkohë, edhe dhjetë godinat në Institutin Bujqësor do të demolohen, pasi paraqesin rrezik për ata që strehohen atje. Më konkretisht, bëhet fjalë për 8 godina që janë zënë nga familjarë gjatë viteve të tranzicionit, duke pësuar edhe ndërhyrje që e kanë dëmtuar në strukturë, si dhe dy godina të tjera ku strehohen studentë.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se si në “Qytetin Studenti” ashtu edhe në Institutin Bujqësor do të ndërtohen dy kampuse të rinj universitar, duke sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës.

“Nga projekti i rindërtimit që do të kemi bashkë me qeverinë, siç kemi bërë me projektin e shkollave, ku kemi filluar shkolla të reja me një skemë shumë kreative, që i bëjmë pagesat ndër vite, besoj që edhe në “Qytetin Studenti” do kemi mundësi t’i bëjmë pagesat ndër vite, teksa fillon një kampus i ri këtu dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që besoj nga kjo fatkeqësi del edhe një avantazh i jashtëzakonshëm, për të sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës”, u shpreh Veliaj./b.l/noa.al/