Transmetuar më 12-12-2019, 13:47

Në Ditën Botërore të Shërbimit Shëndetësor Universal, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se do të vijojë shërbimi pa ndërprerje për banorët e prekur nga tërmeti.

“Objektet shëndetësore të dëmtuara lehtë si pasojë e tërmetit po rehabilitohen, ndërsa ato me dëmtime serioze do të përfshihen në planin e rindërtimit”, tha ministrja, nga urgjenca e re e përkohëshme e Mamurrasit, ku aktualisht po transferohet shërbimi i qendrës shëndetësore 24 orëshe të këtij qyteti.

“Edhe pse jemi në këto kushte emergjence, jemi këtu për të garantuar që kujdesi shëndetësor do të vazhdojë në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, ku jemi duke ofruar shërbim, siç është rasti i urgjencës 24 orëshe të Mamurrasit, ku në kohë rekord qendra shëndetësore e dëmtuar nga tërmeti, është transferuar në një ambient të përshtatshëm, pa e ndalur punën për ofrimin e shërbimit për qytetarët”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë 12 objekte shëndetësore të dëmtuara, për të cilat ka nisur puna me riparimin e dëmeve si pasojë e tërmetit, për ato objekte që janë të riparueshme, ndërsa do të vijojë plani i rindërtimit.