Transmetuar më 12-12-2019, 15:12

Letra e aluminit mund të jetë e rrezikshme për fëmijët dhe gratë shtatzëna! Është ky alarmi i dhënë nga Komiteti i Sigurisë Ushqimore me anë të një videoje të publikuar në portalin e Ministrisë së Shëndetësisë së Italisë.

Alumini i pranishëm në vasketat metalike dhe në letrën e aluminit që përdoret për gatim apo për të mbështjellë ushqimet, rrezikon seriozisht shëndetin e popullisë në fazë vulnerabël dhe veçanërisht fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Është kjo ajo që thuhet në një dokument të komitetit kombëtar të sigurisë ushqimore në Itali (Cnsa), ku nënvizohet se ekspozimi i fëmijëve dhe shtatzëna nga elementët e aluminit që gjenden tek letra e aluminit, përbën rrezik serioz.

Kjo pasi të dhënat nga studimet e kryera kanë treguar një mundësi të konsiderueshme për të kapërcyer dozën e aluminit tek fëmijët dhe të rinjtë sepse janë më të ekspozuar ndaj aluminit që mbështjellë ushqimin. Ndërsa grupmoshat më të mëdha, janë më pak të rrezikuara, kjo edhe për shkak të peshës së trupit.

Kështu që ministria e Shëndetësisë shpreson në zhvillimin e një plani monitorimi, lidhur me rrezikun e lëshimit të aluminit në produktet ushqimore për fëmijët, shkruan noa.al.

Ndër të tjera nënvizohet rëndësia e përdorimit të materialeve alternative, të cilat minimizojnë rrezikun e patologjive që shkakton alumini, mes tyre ato me natyrë neurologjike dhe kockore. /a.y/noa.al