Transmetuar më 12-12-2019, 21:21

Një tërmet i fuqishëm dhe me pasoja katastrofike goditi vendin më 26 Nëntor.

Tërmeti shkaktoi 51 të vdekur dhe qindra të plagosur, ndersa edhe shumë dëme materiale, kryesisht në Durrës dhe në Thumanë.

Pasi kanë mbledhur rreth 1.6 milion dollarë përmes dhurimeve online për familjet e prekura nga tërmeti, Marin Mema dhe Marko Kepi, kreu i organizatës “Rrënjë Shqiptare”, kanë nisur menjëherë punën për ndërtimin e shtëpive të reja.

Familja Qehaja që prej 26 nëntorit jetonte në çadër në oborrin e shtëpisë së shkatërruar nga tërmeti në fshatin Tapizë të bashkisë Krujë. Asnjë prej anëtarëve të familjes nuk është i punësuar dhe mbijetesa e vetme janë punët e rastësishme të kryefamiljarit.

Puna për prishjen e banesës së vjetër e shpallur nga ekspertët e pabanueshme dhe ndërimin e asaj të re ka nisur menjëherë përmes një projekti të detajuar që ka gjetur edhe miratimin e bashkisë Krujë.

Vetë gazetari Marin Mema ka theksuar se tashmë është koha për punë dhe për të ndihmuar sa më shumë familjet e prekura.

Sipas gazetarit Marin Mema, transparenca është thelbësore për të siguruar realizimin e plotë të projekteve. I gjithë procesi, sipas tij, do të mbikqyret nga ekspertë të fushës, me ndërtime në kosto, pra pa fitim për ndërtuesit, por nuk do të lejohet që të cënojnë cilësinë e tyre.