Transmetuar më 13-12-2019, 09:58

Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash për mbarëvajjtjen e derbit të futbollit Partizani-Tirana, i cili do të zhvillohet pasditen e ostme në ora 17:00, në stadiumin kombëtar.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, në të gjithë territoret jashtë stadiumit dhe në të gjitha rrugëkalimet. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara:

-Sheshi “Nënë Tereza”;

-Pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”;

-Rruga “Dervish Hima”;

-Përreth stadiumit “Air Albania” ;

-Do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës.

Po kështu kërkohet mirëkuptimi i tifozëve të Sport Klub Partizanit dhe Sport Klub Tirana që të zbatojë kërkesat e mëposhtme:

– Tifozët e Sport Klub Partizanit do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi nga:21 Dhjetori; ura “Vasil Shanto”; kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”, rruga “Sulejman Delvina”; Libri Univeristar; Presidenca; Hyrjet tek tribuna N dhe E të stadiumit dhe anasjelltas;

Tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi nga; Ministria e Brendshme, Pedonalja; rruga “Xhorxh Bush”; Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”; Ambasada e SHBA-së; Kthim në rrugën “Dervish Hima; Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari”; Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas;

Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.

Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi. /a.y/noa.al