Transmetuar më 13-12-2019, 10:28

Tërmeti i 26 nëntorit ka dëmtuar edhe godinën në Universitetin Bujqësor për të cilën është vendosur se do të shembet sot me shpërthim të kontrolluar.

Mësohet se pas informimit, godina tashmë është boshatisur, ndërsa punohet për vendosjen e sasisë së lëndës plasëse që do të shembë ndërtesën.

Kreu i Bashkisë nënvizoi një ditë më parë se si në “Qytetin Studenti” ashtu edhe në Institutin Bujqësor do të ndërtohen dy kampuse të rinj universitar, duke sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës.

“Nga projekti i rindërtimit që do të kemi bashkë me qeverinë, siç kemi bërë me projektin e shkollave, ku kemi filluar shkolla të reja me një skemë shumë kreative, që i bëjmë pagesat ndër vite, besoj që edhe në “Qytetin Studenti” do kemi mundësi t’i bëjmë pagesat ndër vite, teksa fillon një kampus i ri këtu dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që besoj nga kjo fatkeqësi del edhe një avantazh i jashtëzakonshëm, për të sjellë një urbanistikë që i bën ballë 100 viteve të tjera të Tiranës”, u shpreh Veliaj./b.l/noa.al/