Transmetuar më 13-12-2019, 14:40

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka reaguar pas propozimit të kryeministrit Rama që të bëjë Arben Ahmetajn ministër Shteti për Rindërtimin.

"Natyrisht është një shenjë e mirë që na lë të kuptojmë dhe të besojmë se me emërimin e Ahmetaj si ministër për rindërtimin jo vetëm që Shqipëria do të rindërtohet por që qytetarët duhet të jenë të qetë sepse tashmë më në fund gjithçka do të zgjidhet në të mirë të tyre por paradoksalisht me atë ç’ka do duhej të bënte qeveria në fakt dhe e gjithë mazhoranca e cila në mënyrë krejt të papërgjegjshme gjen kohë që t’i ikë përgjegjësive dhe vëmendjes që duhet të jetë e fokusuar maksimalisht tek administrimi i situatës, tek zhdukja e pasojave të tërmetit", tha Rama.

Në deklaratën për mediat, Luan Rama tha se mazhoranca po bën luftë kundër medias së lirë dhe i kujtoi Ramës se edhe ky regjim do të humbasë.

"Ajo që dua t’i kujtoj kryeministrit është që në Shqipëri, historia e afërt e demokracisë ka shembuj të shkëlqyer të luftës së punonjësve të fjalës së lirë, të luftës së shtypit dhe medias së lirë ndaj regjimit.

Dhe gjithmonë luftën me fjalën e lirë, luftën me shtypin dhe median e lirë regjimet e kanë humbur, siç do ta humbasë edhe ky regjim që në kuptimin më të plotë të fjalës edhe në kushtet e fatkeqësisë natyrore që gjendet Shqipëria edhe në kushtet e emergjencës ku gjendet për të përballuar pasojat e rënda të tërmetit gjen kohë të investohet, gjen vëmendje, gjen angazhim, gjen energji të merret me luftën kundër fjalës së lirë", përfundoi zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama./noa.al/