Transmetuar më 14-12-2019, 13:30

“Standardi rilindas: Zbukurojnë qytetin e Durrësit 42 mijë euro për festa, kur njerëzit janë akoma rrugëve pa siguri, pa strehim! Ndërkohë Tetova na dhuroi 25 mijë eurot e dekorit të saj festiv për qytetarët e Durrësit!”

Është ky denoncimi i bërë nga zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Ajo thotë se Mitrovica dhe Tetova vendosën të mos kishin dekor festash këtë vit sepse paratë e parashikuara për zbukurimin e qyteteve ja kanë kaluar Shqipërisë për ndihma për të prekurit nga tërmeti.

Sipas saj, Tetova dhuroi 25 mijë eurot e dedikuara për dekorin festiv, ndërsa Tirana që ka edhe fondin më të madh të shpenzimeve për zbukurimet e festave, por edhe Durrësi e Lezha kanë shpenzuar miliona lekë për dekor.

Zhupa thotë se kjo ndodh ndërkohë që banorët janë jashtë pa strehë, pa ushqime, edhe të pasigurtë se çfarë do ndodhi me ta.

“Durrësi qyteti edhe më i prekur nga tërmeti, me humbje tragjike jetësh njerëzish harxhon 42 mijë euro për dekor zbukurimesh në qytet”, denoncon Zhupa.

Më tej thotë se Qeveria është e gatshme që të lërë pa shpërblim pensionistët që mezi shtyjnë muajin por jo dritat edhe yjet e qyteteve, sepse sipas saj, për rilindasit e emëruar në krye të bashkive edhe për qeverinë dukja se gjithçka është në rregull është më e rëndësishme se realiteti i mjerueshëm që po përjetojnë shqiptarët. /a.y/noa.al