Transmetuar më 14-12-2019, 14:03

Lajmi se Rudina Dembacaj ka tashmë një histori të re dashurie me një biznesmen, ish-deputetin Mark Frroku, i dënuar deri pak kohë më parë, shkaktoi një tërmet të vërtetë në media.

Dhe po të mos kishte rënë tërmeti reral, do kishte vijuar të merrte maksimumin e vëmendjes deri sa publiku të zbardhte misterin dhe të merrte përgjigjet e disa pyetjeve si: Pse e la Rudina babain e vajzës? Kaq dashuri e madhe paska qenë ajo mes saj dhe Frrokut? Mos u josh nga pasuria e tij, meqë Rudina dha lajmin ndarjes nga ish-bashkëshorti shumë pak ditë para se të lançohej në jetën e Tiranës si biznesmene, falë investimit që Frroku kishte bërë për të?

“E falënderoj Markun që besoi tek unë, është me të vërtetë i zgjuar që më besoi”, tha Rudina atë darkë që bëri inaugurimin e lokalit mes personazhesh VIP. Kjo histori, në fakt, na ka vënë pak në mendime; sa ndjenjë, sa strategji, sa interes dhe sa zgjuarsi ka në këtë mes, meqë Rudina ka folur për zgjuarsi?

Mark Frroku njihet si biznesmen me pasuri të admirueshme. Ish-deputeti është i ve, pasi bashkëshortja ndërroi jetë vetëm pak muaj pasi ai la qelinë e burgut, duke lënë pa nënë dy fëmijë.

Edhe pse është pjesë e medias me një program që e drejton vetë, Rudina nuk ka qenë edhe aq mirëkuptuese për pyetjet e shumta që i kanë bërë gazetarët, në fillim për faktin nëse ishte ndarë ose jo nga bashkëshorti dhe më pas nëse është e lidhur apo jo me Mark Frrokun?

“Qesh se më keni çmendur me këtë pyetje”, i është përgjigjur Rudina pyetjes së drejtpërdrejtë të një gazetari nëse ajo është e lidhur apo jo me ish-deputetin. Ndërsa lajmin e ndarjes vendosi ta bëjë vetë publike, edhe pse i kishte sharë dhe ironizuar gazetarët që e nxorën këtë lajm pa e konfirmuar akoma ajo, por të njëjtën gjë bëri edhe kur u zbulua se me kë ishte lidhur.

Të nesërmen e inaugurimit të restorantit me investitor Frrokun, kur në media tashmë i dashuri misterioz i Rudinës kishte një identitet, kjo e fundit iu përgjigj lajmit të asaj mediaje duke i treguar gishtin e mesit.

E ndërsa të gjithë po presin që Rudina të dalë hapur në shoqërinë e Mark Frrokut, ‘panorama plus’ ka siguruar fotot nga lokali i tyre, teksa Rudina dhe Marku janë të ulur bashkë në tavolinën e restorantit.