Transmetuar më 14-12-2019, 17:03

Gjatë qëndrimit në Laç, kryetari i Partisë Demokratike u takua edhe me një qytetar të komunitetit rom atje.

Ky i fundit, pak ditë më parë mori premtimin nga Kryeministri Rama se do të strehohej, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Deri dje Kryeministri tha se do të të paguajmë qiranë, bëra edhe takim me të, por asgjë. Mbase nuk duan t’ia dinë për romët, por të na largojnë, të paktën, na nxirrni jashtë shtetit”, u shpreh banori.

Ndërkohë Basha tha se Laçi po diskriminohet nga Kryeministri.

“Ti je shqiptar si gjithë shqiptarët e tjerë dhe shteti ka ndaj teje çdo detyrim që ka ndaj çdo shqiptari tjetër. Ajo që thua se ‘jam rom’, nuk ka të bëjë. Kjo që po të ndodh ty, po i ndodh të gjithëve në Laç. Kam takuar mbi 50 vetë deri tani, asnjëri nuk ka marrë ndihmë nga shteti. Nuk ka lidhje rom apo jo rom.

Këtu ka diskriminim ndaj Laçit në tërësi dhe ka papërgjegjshmëri dhe dështim total. Prandaj kam ardhur. Të shoh gjendjen, të ngre zërin për ju dhe të bëj ç’është e mundur të ndryshojë situata sa më parë”, u shpreh Basha. /k.k/noa.al/