Transmetuar më 14-12-2019, 18:41

Një dëshmi e gjallë e 15 prillit të vitit 1979 dhe reagimit shtetëror për tërmetin shkatërrimtar që goditi një pjesë të mirë të veriut të Shqipërisë ka ardhur sot në News24, në emisionin “Kjo Javë”.

Ish-sekretari i parë i Shkodrës, Muho Asllani, sot 82 vjeç ka treguar me detaje çfarë ndodhi dhe si u vu në krye të të gjitha punëve për rimëkëmbjen.

Ai tregoi se e gjithë zona fushore e Shkodrës u shkatërrua plotësisht dhe se viktimat u nxorën deri mëngjesin e ditës tjetër dhe të gjithëve që iu prishën banesat iu dhanë çadra për strehim.

“Një tërmet 8 ballësh shkatërroi Shkodrën, Lezhën por edhe qytete të tjera. Unë i kam ndjekur vetë këto probleme. Në atë kohë nuk kam qenë anëtar i Byrosë politike, isha anëtar i komitetit qendror dhe deputet i Kuvendit Popullor. Ra tërmeti dhe shkatërroi tërë zonën fushore të Shkodrës, të tërë fshatrat plotësisht.

Lagjja e parë e Shkodrës ‘Baçallëku’ u shkatërrua plotësisht. Tërmeti preku zonën fushore, zonën më pjellore. Banesat nuk ishin shumëkatëshe, ose tip elbasanase, 1 katëshe por edhe 2 katëshe, ndërsa shkollat e të tjera më shumë.

Enver Hoxha në atë takim që isha unë, se kisha parë ndonjëherë aq shumë të shqetësuar. I bënte buza për- për, ishte shkatërruar gjithë Shkodra…17 mijë shtëpi të shkatërruara, 34 të vdekur në Shkodër, 6 në Lezhë, të plagosur 331 persona.

Menjëherë mblodha brenda orëve shtabin, komitetin e partisë, komitetin ekzekutiv, këshillin popullor dhe gjithë organizmat dhe iu thashë jemi në gjendje lufte. Do luftojmë me tërmetin”, rrëfeu Muho Asllani.

Ai deklaroi më tej se detyra nga Enver Hoxha ishte që brenda 9 muajve të tërë i duam në shtëpi të reja.

“Brenda dite të pajisen me çadra, brenda ditë të tërë të plagosurit të shkojnë në spital. Nuk kisha frikë se isha mësuar me vështirësi. Isha kalitur. Ndaj jam gjallë akoma. Byroja politike dhe qeveria vendosën që brenda 9 muajve të likuidojnë pasojat e tërmetit. Iu dha porosia gjithë rretheve që aksionistë, kryesisht ndërtues të vinin në Shkodër. Dhashë porosi dhe urdhër që jemi në gjendje lufte”, deklaroi më tej Asllani.