Transmetuar më 15-12-2019, 09:44

Pak ditë më parë, i ati i Dojna Memës është ndarë nga jeta. Lajmin moderatorja e dha me një video në Instagram, ku kishte bërë bashkë disa nga momentet e tij më të bukura.

Këtë të shtunë, ajo është rikthyer në Pop Culture, por e ka nisur emisionin ndryshe nga herët e tjera. Me disa fjalë që i buruan nga shpirti, Dojna nuk e humbi buzëqeshjen dhe siç u shpreh ajo, tani ka një shtysë më shumë për të ecur para.

“Përshëndetje të gjithëve! Shumë prej jush e dinë që kjo e shtunë është pak e komplikuar për mua, por këmbëngula personalisht të isha në ekran, pavarësisht mbështetjes së pakushtëzuar të familjes sime të dytë, Top Channel, të cilët më dhanë gjithë kohën e botës për të rinisur. Por, sot, unë doja të isha pranë jush.

Të martën e kaluar humba tim atë. Nuk je asnjëherë gati për t’i thënë lamtumirë një pjese të vetes tënde, megjithatë unë jam shumë e bindur që me buzëqeshje ai do të më thoshte “Të dua të fort bab’! Ti nuk thyhesh përpara asgjëje.” Sot në Pop Culture jam për të. Sot dhe në vazhdim do të bëj gjithçka me një shtysë më shumë.

Për ju që nuk e dini, unë kam studiuar 13 vite piano klasike. Im atë më shoqëronte çdo ditë kur isha gjashtë vjeç, për të studiuar në ato klasat e liceut. Ai ëndërronte që unë të isha pianiste, por edhe pse zgjodha rrugë tjetër, sot, këtë ia dedikoj tim eti dhe të gjithëve ju që ju pëlqen muzika e shpirtit”, -u shpreh ajo./b.l/noa.al/