Transmetuar më 15-12-2019, 10:56

Operacioni ndërkombëtar "PICASO" ka vënë në pranga një tjetër person për vjedhje në Blegjikë.

Policia arrestoi të dyshuarin K. D., 45 vjeç, banues në Tiranë në rrugën "Qemal Stafa". Ai akuzohet për “Vjedhje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Vjedhja e kryer më shumë se një herë, në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë caktoi masën e sigurimit “Arrest në burg pa afat”.

45-vjeçari ka qenë person i shpallur në kërkim që në datën 28 shkurt 2018 pasi autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës dërguan një letër porosie për arrestimin e tij.

"Sipas letër-porosisë, nga hetimet e kryera në Belgjikë ka rezultuar se prej muajit dhjetor 2017 një grup shtetasish shqiptarë me qëndrim të përkohshëm në Belgjikë po kryenin vjedhje me thyerje të banesave dhe objekteve të tjera. Konkretisht këta persona pasi vidhin në banesa vlera monetare dhe sende me vlerë si flori etj, i dërgonin ato në Shqipëri", njoftoi policia.

Në kuadër të operacionit janë kapur katër shtetas shqiptarë në Shqipëri dhe 6 shtetas të tjerë shqiptarë në Belgjikë. Ndaj këtij grupi kriminal drejtësia belge ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg".

Operacioni "Picaso" u realizua nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Krimin ndaj Pronës në D.V.P Tiranë dhe Task Forcën “Antiskifter”./a.m/noa.al/