Transmetuar më 15-12-2019, 13:29

Operacioni i koduar "Klubet e natës” ka vënë në pranga tre persona në Shkodër, të akuzuar për shpërndarje dhe shitje të lëndës narkotike kokainë.

Janë arrestuar dy menaxherë, të identifikuar si Aldo Vruçaj,  29 vjeç, dhe Gasper Marku, 27 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Burime për Noa.al konfirmojnë se personi i tretë i arrestuar është Zamir Jakupi , 57 vjeç, i cili nuk është shumë i njohur, por performonte si këngëtar në klub. Ai ka lindur në Muriqan dhe është banues në Shkodër.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim pronarin e klubit, E. M., që kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave të forta dhe për ushtrim prostitucioni.

Klienti Ç. P., 33 vjeç, dhe balerina L. S., 31 vjeçe, janë proceduar në gjendje të lirë. Në momentin e kontrollit, policia sekuestroi një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.

Operacioni u realizua nga DVP Shkodër, në bashkëpunim më forcat speciale Renea, nën drejtimin e Prokurorisë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për të vijuar me veprimet e mëtejshme.

Kontrollet janë shtrirë në shumë lokale dhe klube nate për dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe vënies së ambienteve të lokalit për  ushtrimin e prostitucionit në Shkodër.

Operacioni u zhvillua pas hetimeve të kryera si rezultat i procedimit penal të vitit 2019.

Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. /a.m/noa.al/