Transmetuar më 15-12-2019, 18:33

Në një takim me Akademinë politike të FRPD-së, në përkujtim të 9 vjetorit të heqjes së vizave për Shqipërinë, kreu demokrat, Lulzim Basha, u bëri thirrje të rinjve që të ngrihen dhe rikthejnë shpresën.

Lideri i opozitës tha para të rinjve demokratë se në vitin 2018 kanë humbur nga emigracioni mbi 500 milion euro.

Kreu i opozitës shtoi se më dramatike është situata në spitalet tonë, duke premtuar se me ardhjen në pushtet, situata do të njohë ndryshim të menjëhershëm.

Pagat e mjekëve do të rritet me 1.200 euro, dhe e infermierëve me 700 euro, premtoi më tej Basha, duke thënë se Rama nuk mund të gënjejë dot më as Merkelin dhe as Macronin, apo liderë të tjerë, me reformat, ndërkohë që koha nuk pret.

Basha para të rinjve, sot në 9 vjetorin e lëvizjes së lirë, përsëriti nevojën për zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, por të ndershme, tha ai, duke bërë thirrje që të miratohet Reforma Zgjedhore.

Lulzim Basha kujtoi po sot edhe 9-vjetorin e lëvizjes së lirë, ditën e liberalizimit të vizave përmes një videomesazhi,drejtuar të gjithë shqiptarëve.

Basha kujton se para 9 vitesh si Ministër i Brendshëm i asaj kohe kishte shoqëruar grupin e parë të studentëve dhe të të rinjve shqiptarë, të cilët udhëtuan pa viza në vendet e BE-së.

Ai premton se do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar dëshirën për Shqipërinë, që të bëhet anëtare të BE.

“Të dashur bashkëqytetarë!

Para 9 vitesh, si Ministër i Brendshëm, shoqërova grupin e parë të studentëve dhe të të rinjve shqiptarë që udhëtuan pa viza në Bashkimin Europian. Bashkë, plotësuam një ëndërr, lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sot, dua t’ju uroj të gjithëve dhe t’ju garantoj se do të bëj gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar shpresat dhe dëshirat e gjithsecilit prej jush për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. Ju uroj një të diel të mbarë!”, u shpreh në videomesazhin e tij, kreu demokrat Lulzim Basha.

Shqipëria, lidhur me çeljen e negociatave është ende në pritje të një vendimi pozitiv nga BE, pas dështimit në tre samite të kaluara mbi këtë çështje./NOA.al