Transmetuar më 15-12-2019, 20:21

Një udhëzim i kryeprokurorit të ri të vendit mban datën 10 dhjetor 2019, pak ditë pas marrjes së detyrës, dhe detyron e prokurorët e Krimeve të Rënda si dhe të prokurorëve të juridiksionit të përgjithshëm për të identifikuar, inventarizuar dhe transferuar dosjet, sipas kompetencës, në Prokurorinë e Posaçme.

Udhëzimi i parë i prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela është nxjerrë në funksion të krijimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ose e njohur ndryshe si SPAK.

Kjo strukturë është ngritur me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin,

Të gjitha dosjet e parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, kalojnë në duart e SPAK-ut, që pritet të ngrihet së shpejti. Edhe prokurorët me juridiksion të përgjithshëm për aktet, procedimin apo çështjet penale, të regjistruara për veprat penale që janë kompetence e SPAK-ut të cilët janë në fazën e hetimeve paraprake, vendos moskompetencën dhe transferimin e akteve, procedimit/çështjes penale për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme”.

Kryeprokurori Çela, përmes udhëzimit, u ka kërkuar prokurorëve të Krimeve të Rënda si dhe prokurorëve me juridiksion të përgjithshëm që të ruajnë sekretin hetimor gjatë inventarizimit dhe transferimit të dosjeve, ruajtjen e të dhënave hetimore dhe ndalimin e publikimit të akteve, procedimeve apo çështjeve objekt kalimi për kompetencë prokurorive përkatëse, para, gjatë dhe pas dorëzimit në prokuroritë kompetente”.

Organet e reja të drejtësisë, të dala nga procesi i Veting, me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, besohet se do të nisin në funksion të plotë gjatë pranverës së vitit që vjen./NOA.al