Transmetuar më 16-12-2019, 11:13
Lenda narkotike e sekuestruar

Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, duke vënë në pranga një person.

Efektivët e komisariatit Nr. 2 Tiranë, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se një person posedonte lëndë narkotike kanabis sativa, organizuan punën duke bërë identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar.

Uniformat blu kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. M., ku u gjetën 89 fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme, një krehër, një pajisje elektrike dhe katër ora dore.

Kontrolli më tej ka vijuar në një parking në pronësi të tij i, në rrugën “Fadil Bodinaku”, ku është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis sativa, në formë çokollate, me peshë 18.2 gramë, e cila së bashku me sendet e tjera të kundërligjshme u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve paraprake, u bë arrestimi në flagrancë i D. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”. /a.y/noa.al