Transmetuar më 16-12-2019, 11:59
Parate e sekuestruara

Një person i cili ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor, si edhe posedonte pa leje aparat neuroparalizues, arrestohet në flagrancë nga policia.

Nga ana e policisë së Pogradecit u bë arrestimi i A.X., 46 vjeç, banues në Pogradec.

I dyshuari u kap nga efektivët e policisë në lagjen nr.5, duke ushtruar aktivitetin e këmbimit valutor pa licencë, ku gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi rreth 800 mijë lekë të reja.

Këto para ishin në dinarë maqedonas, dollarë, euro dhe lekë, një aparat neuroparalizues elektroshok dhe dy celularë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Pogradecit për veprime të mëtejshme hetimore. /a.y/noa.al