Transmetuar më 18-12-2019, 17:17

Një planet në galaktikë do të mbajë një emër shqiptar. Planeti është vendosur që të quhet “Arbër”, ndërsa një yll do të mbajë emrin “Illyrian”.

Emrat janë vendosur nga Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikantëve, i cili certifikoi zgjedhjen e bërë nga Shqiptarët për planetin që më parë quhej HD82886b dhe yllin ku ai rrotullohej.

Lajmin e ka ndarë në rrjetet sociale nismëtarja e fushatës për të gjetur emrin e yllit të shqiptarëve Mimoza Hafizi.

“Sot Bashkimi Ndërkombëtar i Astrofizikanëve certifikoi zgjedhjen që mijëra shqiptarë i bënë emrit Arbër për planetin HD 82886b dhe emrit Illyrian për yllin rrotull të cilit ai sillet. Këto dy objekte astronomike ndodhen më shumë se 400 vite-dritë larg nesh, distancë gjigande në dimensionin njerëzor, por e vogël në dimensionin universal, të cilin njerëzimi po përpiqet ta kuptojë, eksplorojë e madje ta pushtojë.

Me këtë zgjedhje, ne shqiptarët dërguam një copë të historisë sonë drejt qendrës së Galaksisë. Le të presim që në këmbim të marrim Urimin Galaktik për jetë të gjatë e mirëqenie të kombit tonë! Le të jetë planeti Arbër një burim dijesh për ne dhe njerëzimin tokësor!

Le të jetë Arbëria simboli i progresit të pandalshëm të inteligjencës sonë! Le të jetë ky planet mik, një pasqyrë për të parë me dashuri Tokën tonë të bekuar, ku natyra na fali jetën”, shkruan astrofizikantja Hafizi./b.l/noa.al/