Shkrimtari i njohur Mehmet Myftiu ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Homazhet në nderim të tij do të mbahen në datë 25 dhjetor, ora 12.00 pranë shtëpisë së funeralit “Alba”, shkruan Shqiptarja.
Në moshën 12 vjeçare, Myftiu u lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe ishte anëtar i organizatës Debatik, kur autoritetet e internuan në kampin e Prishtinës.
Pas Luftës së Dytë Botërore punoi si gazetar në redaksinë e "Letrari i Ri" dhe ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Në vitin 1952, ai fitoi një çmim të parë për tregimin ‘Fabrika e çimentos’. Shtatorin e 1953 nisi vitin e parë në Institutin Pedagogjik në kryeqytet. Më 1954, së bashku me miqtë e tij Mark Ndoja dhe Kasëm Trebeshina, u përjashtuan. Myftiun e arrestuan dhe internuan në Shtyllas të Fierit dhe më pas në Maminas të Shijakut. Një rehabilitim i përkohshëm bëri të mundur, që Mehmeti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik dhe të punësohej si arsimtar.
Mehmet Myftiu është gjyshi i artistes Elina Duni edhe babai i shkrimtares Bessa Myftiu./noa.al/