Transmetuar më 26-12-2019, 22:14

Organizatorët e festivalit duheshin arrestuar në sallë, nën akuzë për “krim ndaj gjuhës shqipe” dhe “fyerje të rëndë të dinjitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare”

“Me një tekst të tillë dikur nuk të linin të këndoje as në hale.”

Poeti, skenaristi dhe regjisori Petrit Ruka jo vetëm është i mendimit se Elvana Gjata nuk duhet të fitonte festivalin, por shkon më tej. Ajo dhe shumë të tjerë as nuk duhen lejuar të këndojnë në një festival, që simbolizon vlerat e kulturës së kombit tonë.

Ai është i mendimit se duhet ndërhyrë, sa nuk është vonë, pasi brezat që do të vijnë do t’i ndëshkojnë rëndë sabotuesit e gjuhës, kulturës dhe dinjitetit tonë kombëtar.

Ai ka kritikuar këngën “Me tana” të këngëtares Elvana Gjata, e cila ishte pjesë e Festivalit të 58 të Këngës në RTSH.

Ruka, nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se kjo këngë është një tmerr artistik.

Sipas tij, organizatorët e këtij festivali duheshin “arrestuar” në sallë nën akuzë për “krim ndaj gjuhës shqipe” dhe “fyerje të rëndë të dinjitetit dhe kulturës kombëtare shqiptare”.

Në fakt, ky festival e ka një histori. Dhe nëse këngët e këtij festivali, në kohën kur këndonin Avni Mula, Vaçe Zela, Parashqevi Simaku, do të përmbanin deformime të gjuhës dhe kulturës sonë, me shumë gjasa do të ishin futur të gjithë në burg. Por pas ’90, me ardhjen e demokracisë, duket se u keqkuptua fjala “liri”.

Mund të jesh i lirë të bësh art, por nuk mund të jesh i lirë as në SHBA, as në Gjermani dhe as në Itali, që të blesh, te shesësh e të “luash si të duash”, me gjuhën dhe kulturën e kombit, e ta shesësh atë për vlerë. Shumë këngë shqiptare rezultojnë të kopjuara. Mbetet që edhe teksti të jetë i sajuar. Edhe pse Petrit Ruka merret me rastin e Elvanës, në fakt elita e artit shqiptar është e shqetësuar me nivelin edhe më dramatik, me këngë që nuk konkurojnë në festival por papritur bëhen hite, dhe dora e shtetit nuk ekziston për t’i ndalur ato, që brezat e rinj të edukohen me artin e vërtetë, muzikën dhe gjithçka tjetër që u ngrit me shumë mund e sakrifica.

“Turpi e mbuloftë emrin e atyre regjisorëve, udhëheqësve artistikë, prezantuesve, redaktorëve, kompozitorëve që kanë emrin në titrat e këtij produksioni me tekste të tilla. Një ditë bota do të qesh me të madhe me idiotësinë e tyre. Tallja e brezave që vijnë do t’i shoqërojë edhe aty ku do te jenë, në var.”, shprehet Ruka ndër të tjera.

Reagimi:

TMERR ARTISTIK DHE NJË URGJENCË KOMBËTARE

Jap e marr ta kuptoj këtë tekst të ndyrë që më doli para dhe nuk ia dal dot. Kjo quhet këngë…dhe qenka trasmetuar në Festival. Me një tekst të tillë dikur nuk të linin të këndoje as në hale.

Shijoheni.

Teksti: Elvana Gjata

Këndon: Elvana Gjata

Kupton: Elvana Gjata

5 milion shqiptarë paguajnë RTSH për ndyrësi të tilla dhe na na na-n e saj…

Tmerr artistik.

Organizatorët e këtij festivali duheshin “arrestuar” në sallë për krim ndaj gjuhës shqipe dhe fyerje të rëndë të dinjitetit të kulturës kombëtare shqiptare.

Duhet hartuar me ngut një ligj i posaçëm që këngët në Festivalin e RTSH duhet të vijnë patjetër në standard dhe të kenë poshtë firmën aprovuese të dhjetë poetëve më të mirë të vendit. Unë vetë nuk do ta pranoja këtë tekst edhe sikur të vinte me muzikën e Ennio Morricone-s.

“Ti kam fal ty me tana

Me tana o me tana

Dashni me fal

O kush ka me ma nal?

A ma thua edhe sa

Duhet të pres ty me të pa

Ta di, dua ta di dhe sa

Kohën ndale, ndale

Të shkoj ngadale ndale

O më ngadale ndale

Na na na na na…”

Turpi e mbuloftë emrin e atyre regjisorëve, udhëheqësve artistikë, prezantuesve, redaktorëve, kompozitorëve që kanë emrin në titrat e këtij produksioni me tekste të tilla. Një ditë bota do të qesh me të madhe me idiotësinë e tyre. Tallja e brezave që vijnë do t’i shoqërojë edhe aty ku do te jenë, në varr./NOA.al