Transmetuar më 01-01-2020, 18:22

Opinion nga Enton Palushi 

Nëse i hedh një sy motorëve kërkues, e kupton se fjala e vitit për shqiptarët ishte tërmeti. Viti 2019 do mbahet mend për tërmetin vrastar njësoj si viti 1979. Për dekada me radhë do kujtohet ajo tronditje që përjetuan miliona shqiptarë më 26 nëntor, e cila rezultoi në 51 viktima dhe një faturë financiare kolosale.

Edhe nëse shqiptarët kishin ndërmend ta harronin qeverisjen e Edi Ramës, ajo e ka lidhur në mënyrë tragjike fatin e saj me këtë tërmet, duke mbetur në histori në mënyrën më të keqe të mundshme. Për dekada do kujtohet babëzia e saj, korrupsioni vrastar, mungesa e shtetit në orët e vështira. Edi, Eri, Gjushi i kanë rezervuar vetes një vend në historinë e turpit të Shqipërisë për shumë vite. Madje sa më shumë të kalojnë vitet dhe dekadat, aq më e qartë do bëhet babëzia kriminale e kësaj qeverisje.

Meqë jemi te dekadat, sivjet analizat nuk bazohen vetëm të viti që po mbyllim, por te dekada që po lëmë pas. Shqiptarët duhet ta dinë se kjo dekade ishte e humbur për ta. Shtatë vitet e saj u dominuan nga qeveria e Edi Ramës, e cila nuk bëri asnjë hap përpara drejt integrimit. Shqipëria ka ngelur në vendnumëro, për të thënë me të paktën. E vetmja arritje e madhe në fushën e integrimit daton në fillim të kësaj dekade dhe mban emrin e qeverisjes së demokratëve. Bëhet fjalë për lëvizjen e lirë, këtë arritje të kërcënuar vazhdimisht nga keqqeverisja e Edi Ramës edhe sot e kësaj dite kur në parlamentin holandez po diskutohet për një tjetër proçkë të Ramës, që mund të kthejë regjimin e vizave.

Jo vetëm kaq, por në vitin me të madh të dështimeve të Ramës, arritja më e madhe është ajo që ka fituar opozita e Lulzim Bashës me rezolutën e miratuar në parlamentin federal gjerman. Të gjithë e pranojnë se kjo rezolutë është varianti më i mirë për rrugën europiane të Shqipërisë, gjithçka tjetër vetëm e vështirëson më shumë integrimin. Edhe vetë Rama, i cili e di se çdo variant i integrimit, nënkupton largimin e tij, e pranon se forca kryesore në Bundestag, pra CDU gjermane, është partia më e informuar për atë që ndodh në Shqipëri.

PD arriti të mobilizojë të gjitha partitë e djathta europiane në favor të integrimit, kurse Edi Rama nuk mori mbështetjen e të majtëve të tij, edhe pse në ditën e samitit u shfaq që në mëngjes në krah të tyre vetëm për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve. Ky dështim është arsyeja se përse ka vendosur të kurojë imazhin e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiç në kurriz të Kosovës me nisma skandaloze si Mini Shengeni. Të dy e dinë se integrimi u sjell fundin politik.

***

Po të mos ishte për tërmetin, pa me të voglin dyshim që ky do quhej viti i protestave të opozitës. Kjo e fundit arriti të mobilizojë mijëra njerëz në shesh dhe ta bëjë kauzën e saj ndërkombëtare deri në atë pikë sa gazetari i njohur gjerman Norbert Mappes Niedik thotë se Edi Ramës i mungon mbështetja ndërkombëtare.

Vërtet ka shumë njerëz që do donin ta shihnin Edi Ramën të rrëzuar nga protestat, por siç thotë autori i njohur Paolo Gerbaudo, për mënyrën se si janë ndërtuar gjërat, protestat e kanë arritjen më të lartë kur e vendosin problematikën e tyre në majë të axhendave politike dhe qeverisëse.

***

Sot, ndoshta akuza më e shpeshtë që i bëhet opozitës së Lulzim Bashës është se përse nuk e ka rrëzuar akoma Edi Ramën, thua sikur kjo nuk është dëshira e tij. Por protestat e iniciuara prej tij dhe djegia e mandateve treguan se sa e vërtetë është kriza në vend. Ato ekspozuan një shtet të dështuar që kaloi në gjendje KÇK sapo ndjeu se pushteti po u lëkundej. Ekonomia u rrënua, krimi kapi çdo pushtet. Kjo gjendje KÇK u bë e qartë edhe gjatë dhe pas tërmetit, kur u pa që shteti nuk ekziston. Tërmeti e bëri edhe më të nevojshëm rotacionin pasi duke ndjerë peshën e fajit dhe keqmenaxhimit, qeveria vazhdon të jetë në gjendje KÇK. Mbi një muaj pas tërmetit, kjo është më e qartë se kurrë. Qoftë edhe për arsyen se çdo qeveri e re është më e mobilizuar dhe më e gatshme për të ndihmuar njerëzit, vendi duhet të shkojë në rotacion sa më shpejt.

***

Ky ishte viti i opozitës së Bashës. Ajo u tregua e ashpër deri në kufijtë që ia lejon sistemi. Denoncimet e saj po provohen të drejta çdo ditë. Kauza e saj po del ajo e duhura. Por kjo gjendje e shoqërisë dhe opozitës, ku mbizotëron më shumë denoncimi dhe protesta, do ndryshojë sapo të hapet një horizont për zgjedhje të reja. Atëherë vendi kalon në një tjetër mobilizim. Opozita po ashtu. Atëherë kalojmë në situatën e përzgjedhjes. Atëherë do qartësohet më shumë se kush duhet votuar në këto ditë të vështira për vendin. Atëherë do kuptohet se opozita jo vetëm ka të drejtë, por edhe se demokratët janë alternativa më e mirë.