Transmetuar më 02-01-2020, 17:27

Ai që kaloi, ishte një vit i çuditshëm për politikën shqiptare: edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë.

Serbia, pushtuese territoresh shqiptare, e mundur në luftë, vazhdon ta quajë Kosovën Serbi. Si ka mundësi?

Në fakt, kuptohet, ajo tani është e mundura, pas dyqind vjetësh luftë për të marrë territore shqiptare, dhe, për të përzënë shqiptarët nga trojet e tyre etnike mijravjeçare. Ajo që shihet është historia reale që po del dita – ditës: pa territoret e pushtuara nga etnia mijëravjeçare shqiptare, nuk mund të ketë Serbi: kjo është e vërteta e kësaj kohe.

Por, politika agresive serbe, si gjithmonë, edhe tani e ka shpresën te njerëzit e vet që drejtojnë në Tiranë dhe në Prishtinë. Këta janë të shumtë nëpër qeveritë që kanë kaluar, janë nën mediokër në kapacitetin profesional, dhe prandaj ndërkohë i kanë lënë të dy shtetet shqiptare pa prodhim, nëse edhe kjo nuk ka qenë një skemë e ardhur me imponim nga Beogradi

Por, këta beogradas, në Prishtinë dhe në Tiranë, tani ndihen të trembur.

l.

Thaçi dhe Rama tani janë dy të tremburit kryesorë. Opinioni publik, në Shqipëri dhe në Kosovë, është ngritur kundër tyre. Donin t’i jepnin Serbisë Mitrovicën. Por heshtazi, pa e deklaruar këtë. Thaçi vinte vërdallë, fliste për shkëmbim territori me Serbinë, por pa thënë se çfarë do të jepte Kosova, dhe llomotiste me ankth vetëm për marrjen e Preshevës. Dhe ndihej si nën një shqetësim permanent, domethënë e kishte kërkesë.

Nëse do të kthehemi pas në histori, do shohim se edhe Milosheviçi Mitrovicën e kishte kusht për lëshimin e Kosovës. Kurse Rama, edhe pse ishte në lojë për këtë ndërrim, bënte sikur nuk dinte gjë. Por, që të dy u akuzuan nga opinioni publik si antikombëtarë.

Dhe, shikoni tani se çfarë po ndodh me dy të akuzuar nga opinioni publik si antikombëtarë.: ata flasin përçart, dhe iu luten shqiptarëve që t’i besojnë.

Por nuk mjafton vetëm kjo, sepse Meta, President i Shqipërisë, sulmon ambasadorët e të mëdhenjve, por jo të mëdhenjtë. Sepse është i trembur nga reforma në drejtësi, dhe nga procesi që ka nisur Parlamenti për shkarkimin e tij. Sulmon ambasadorët dhe jo shtetet që janë pas tyre, sepse këkon të mashtrojë përkrahësit e tij, se, kundër Metës janë ambasadorët, dhe jo politika e Uashingtonit, e Brukselit, apo e Berlinit. Ka bllokuar Gjykatën Kushtetuese, sepse ka frikën e shkarkimit. Por, ende nuk e kupton se ndërkohë ka urrejtjen maksimale të opinionit publik shqipatr.

Po Rama, mos ndoshta edhe ky po kërkon të sfumojë reformën në drejtësi me anë të "reformës minishengen?"

Reforma në drejtësi e ka trembur të gjithë korrupsionin e lartë shtetëror në Tiranë, por asnjëri nga këta nuk e ndalon dot.

Bashkë janë sot të gjithë të korruptuarit pushtetarë apo ish pushtetarë.

Të gjithë dallojnë që janë në hall. Por, historia na ka treguar se, sa herë që pushtetarët shqiptarë janë në rrezik për pushtetin, shkojnë në Beograd, domethënë te pushtuesi. Dhe Beogradi i pret. Në fakt, ka 150 vjet që Beogradi i pret dhe i përcjell.

A e dini se sa pushtetarë sundues ka sjellë Beogradi në pushtet në Shqipëri? Tre janë të njohur me fakt historik: Esad Toptani, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha. Të tjerët do të faktohen, sigurisht.

ll.

Gjithsesi, me qesharakët sot janë Rama dhe Thaçi.

Njëri, Rama, po iu betohet shqiptarëve se është një dashnor i atdheut i patriotizmit, kurse tjetri, Thaçi, po i kërkoi Ramës të hapnin kufijtë e Shqipërisë dhe Kosovës, për të futur indirekt Kosovën në minishengen. Janë në hall, por duket se Beogradi po iu kërkon haraçin. Shenjat janë se edhe titistit Isa Mustafa, duket se haraçin po i kërkon, për të mos lejuar qeverinë Kurti.

Të gjithë ata që kapen në politikën e tyre antikombëtare, kur përulen me servilizëm për të kaluar rrezikun, bëhen qesharakë. Kështu sikundër që po bëhen edhe këta. Në fakt, në këtë derexhe i ka degdisur frika. Prandaj duket sikur luten.

Ill.

Askush nuk mund ta kuptojë sesi një kryeministër si Rama, i akuzuar nga opinioni publik si antikombëtar, del dhe "betohet" botërisht për dashuri të pamasë ndaj atdheut. Kjo është një gjë e pandodhur ndonjëherë në vendet demokratike.

Po këtu, në Shqipëri, a ka ndodhur ndonjëherë? Po, këtu ka ndodhur me Esad Toptanin, që shiste interesin e Shqipërisë, dhe vetëreklamohej si hero kombëtar.

Por, kjo ka ndodhur edhe me Shevqet Vërlacin dhe me të gjithë ata të tjerët që shitën Shqipërinë kur i dhanë kurorën e Mbretërisë Shqiptare mbretit italian, duke e argumentuar pushtimin si "bashkim mbretërish" dhe zhvillim ekonomik për Shqipërinë.

E njëjta gjë: edhe Rama po e paraqet minishengenin e tij si "zhvillim kombëtar". Por çfarë është në thelb ky minihiç? Ai është një errësim tërësor i individualitetit ekonomik shqiptar në Ballkanin Perëndimor – ky është thelbi i Minishengenit Ballkanik Rama – Vuçiç.

lV.

Por, le të qëndrojmë pak më gjatë për të argumentuar dëmin që e pret Shqipërinë nga Shengeni Ballkanik.

E dini që Shqipëria nuk ka fare prodhim industrial, se industrinë shqiptare e shkatërruan hordhitë antishqiptare në vitet ’90 të shekullit që kaloi?

E dini që shqiptarët dhe Shqipërinë i ka shpëtuar emigracioni shqiptar me paratë që ka dërguar në 29 vjet?

E dini se po të mos ishin remitancat e emigracionit, nuk do të kishte më një shtet shqiptar?

Shqipëria në vitet 1991-1997 e nxori nga thellësitë e shpirti të vet kombëtar shpëtimin e saj nga agresioni më i rrezikshëm që pushtuesit e territoreve të saj kryen me veglat e shitura brenda saj!

Shqiptarët, të terrorizuar në 45 vjet nga komunizmi, ikën masivisht drejt Perëndimit në vitin 1991, dhe vijuan të ikin në 29 vjet rresht. Ikin nga varfëria e imponuar në Shqipëri nga sunduesit që u pasuruan vetëm më varfërinë shqiptare. Ikin të zhgënjyer me tmerr nga sunduesit e politikës. Por, këta kanë mbajtur familjet e tyre këtu në Shqipërinë e dhunuar nga varfëria e imponuar. Dhe po e mbajnë në këmbë edhe vetë Shqipërinë; dhe po kështu ndodh edhe në Kosovë.

Shqiptarët, në këtë kohë të vështirë për ta, ia arritën ta ruanin Shqipërine duke shitur punë – shqiptarët eksportuan punë dhe fituan valutë perëndimore; se, në fund të fundit, puna është mall.

Por, pushtuesit shekullorë të trojeve shqiptare tani krijuan minishengenin për të shpërbërë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. E pra, duke e ditur se në Shqipërinë e dhunuar nga vetë ata nuk ka prodhim iundustrial, kërkojnë që me prodhimin e tyre, të marin valutën e mundit shqiptar.

Kurrë nuk do t’ia arrijnë dot.

Por, një gjë duhet të kujtojmë: gjithë shitësit e interesit kombëtar janë treguar qesharakë kundrejt historisë, se janë betuar për dashuri ndaj atdheut, pasi e kanë shitur atë.

Këta të dy, Rama dhe Thaçi, janë të fundit, por edhe më qesharakët, sepse u kapën para sesa ta kryenin aktin: edhe ndërrimin e territoreve, por edhe Minishengenin Ballkanik.

/NOA.al