Transmetuar më 03-01-2020, 14:34

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka marrë mandatin e kryeministrit teknik që iu dorëzua nga Presidenti Stevo Pendarovski.

Kuvendi duhet të votojë deri në mesnatë Qeverinë teknike të kryesuar nga Oliver Spasovski, i cili do të organizojë zgjedhjet në 100 ditët e ardhshme.

“Këtë mëngjes në orën 8.30 ishim në Qeveri. Nënshkrova dorëheqjen time, në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës dhe në bazë të Ligjit për Qeverinë. Besoj se dokumenti do të arrijë në Parlament shumë shpejt, në mënyrë që procedura të fillojë gjatë ditës për të mundësuar miratimin e qeverisë teknike”, tha Zaev pasi hoqi dorë nga posti i kryeministrit.

Bashkë me të, tërhiqet i gjithë kabineti qeveritar.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut njoftoi dorëheqjen e kryeministrit Zaev, të paraqitur pas marrëveshjes së partive politike përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në 12 Prill./noa.al/