Transmetuar më 05-01-2020, 08:05

Ecuria e markave të luksit ka ardhur në rritje me kalimin e viteve. Por, problematika qëndron në mentalitetin e autenticitetin e një firme, të qenit një treg i vogël për të sjellë marka të shtrenjta, si dhe zhvillimi i tregut të dorës së dytë për markat e luksit. Kriza po ndihet te çantat e veshjet e shtrenjta, por jo te bizhuteritë, kujdesin për veten, fytyrën dhe operacionet plastike

Ndonëse Shqipëria është një treg i vogël, si në sektorin e veshjeve, ashtu edhe në prej vitesh ka përfaqësi të firmave botërore. Lidhur me këtë, me kalimin e viteve, qendrat tregtare, jo vetëm që konkurrojnë mes tyre për markat që sjellin në Shqipëri, por kanë rritur edhe formatet e dyqaneve, me standardin ndërkombëtar. Ndonëse dyqanet me ecuri më të mirë në Shqipëri janë ata që shënjestrojnë shtresën e mesme, hasim jo pak brand-e ndërkombëtare luksi, të cilat kanë konsumatorët e tyre.

Sipas përfaqësuesve të disa emrave që operojnë në Shqipëri, si Roger Tirana që ka marka si Vero Moda, Kocca, Hilfiger, Jack and Jones etj, në vendin tonë qëndron ende mentaliteti për autenticitetin e firmave dhe kjo i bën shqiptarët më skeptikë në blerje, si dhe nxiten nga ideja e të bërit shopping jashtë Shqipërisë.

Përfaqësuesit e markës Alviero Martini në Shqipëri deklarojnë për Monitor se, ka pasur një rënie të numrit të blerjeve të produkteve të tyre, si çanta, rripa dhe aksesorë të tjerë, duke qenë se shohin një rënie të ekonomisë. Para disa vitesh, pohojnë ata, në mesin e blerësve gjendeshin edhe kategoria e shtresës së mesme, e cila mund ‘t’ia lejonte vetes’ një çantë 300 euro, sikur vetëm një herë në jetë. Ndërsa sipas tyre, situata tani duket e përkeqësuar dhe vetëm klientët besnikë i rikthehen dyqanit, ata me buxhet mbi mesatare, pasi luksi është elementi i parë që hiqet nga lista kur gjendja ekonomike nuk duket mirë.

Përfaqësuesit e markës Pierre Cardin sakaq shtojnë se, ka një interes më të lartë të grave shqiptare për të blerë elementë arredues në shtëpitë e tyre me vlera më të larta, por një ulje të kërkesës për aksesorë luksi vetjakë. Sipas tyre, zgjedhja e një byzylyku të kësaj marke apo veshjeje, është zëvendësuar më një mbulesë krevati apo tapet, të kualitetit francez, të cilat preferohen më së shumti.

Po të kalojmë në sektorin e bizhuterive, menaxherja e shitjeve pranë Kastrati Jewelery tregon se, kërkesat për produktet e luksit kanë zëvendësuar prej kohësh ato për metal të çmuar, pasi është rritur klasa me të ardhura të larta. Sipas tyre, kërkesa për diamante është në rritje të vazhdueshme, sepse është nga ato blerje që bëhet edhe ‘një herë në jetë’.

 Makina luksoze

Viti 2017 ka shënuar rritje të pazakontë të makinave të luksit në qarkullim. Ministria e Financave, e cila i ka përfshirë në taksim të posaçëm këto automjete që nga viti 2017, ka deklaruar më parë se numri i mjeteve luksoze në qarkullim është shtuar me 28% në 2017. Në vitin 2016 kur u mor nisma ligjore për rritjen e taksave ndaj makinave luksoze numëroheshin 5400 të tilla, por në vitin 2017 u shtuan në qarkullim edhe 1541 automjete luksi.

Kremra dhe kujdesi personal

Maskat e floririt për fytyrën dhe ato të argjendit për pjesën e fytit dhe të dekoltesë kanë nisur të kërkohet shumë edhe në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shërbim luksi, i cili deri para pak vitesh nuk njihej apo konsiderohej i paprekshëm.

Qendrat estetike pohojnë se kërkesat janë në rritje edhe nga kategori që më parë nuk i janë drejtuar qendrave estetike, siç rëndom supozohet se vetëm VIP-at marrin këtë shërbim.

“Maska e floririt 24 karat është aplikuar në tre faza, e pastaj, bëhet dhe një masazh i lëkurës, që përmirëson qarkullimin e gjakut ndërsa ari, i kombinuar me ekstrakt agave, ndihmon prodhimin e kolagjenit. Gratë shqiptare duan të mbeten të reja dhe ndërgjegjësimi vjen kryesisht nga kategori mbi 40 vjeç”- pohojnë nga qendra.

Çmimi i analizave për një klient, i cili pas një muaji do të ketë në dorë librin personal të organizmit të tij, një konsultë më një mjek të huaj specialist dhe plani tremujor i terapisë (pa përfshirë terapinë në vetvete) kushton 3 mijë euro. Nëse një person vendos të jetë klient i qëndrueshëm i klinikës që të kryejë analizat çdo një vit dhe terapitë e nevojshme për organizmin e tij, i duhet të shpenzojë 15 mijë euro në vit.

Përfaqësues nga qendra tregojnë se përveç shqiptarëve, ka edhe klientë të huaj kryesisht nga Serbia, por edhe bashkëpunojnë me agjencitë, që operojnë me turizëm shëndetësor, sepse natyra e Shqipërisë është e shkëlqyer dhe ofrohen -50 % të çmimeve në Europë dhe SHBA.

Përveç qendrave të bukurisë apo përkujdesit që kanë hyrë në tregun shqiptar prej vitesh, një tjetër kategori që po merr nga torta e luksit të produkteve që shqiptarët po kërkojnë, janë produkte si kremra apo kozmetikë të ngjashme, të cilat blihen nga vetë ata. Este Lauder, Korff ka vite që gjendet në farmaci, dyqane kozmetike etj., çmimet e të cilave janë mbi mesataren e shpenzimeve për shqiptarët. Një krem hidratues i Korff me kolagjen kushton mbi 70 euro, në formate të vogla si 30 ml. Një krem i Estee Lauder ‘repair serum’ kushton 172 euro, sërish format i vogël 30 ml.

Diamantet dhe të tjerë bizhu luksi

Monitor më herët këtë vit ka konstatuar se ‘epoka e diamanteve’ ka mbërritur edhe në Shqipëri”. Pikërisht kjo epokë po vijon të jetë e shndritshme, si vetë diamantet, duke qenë se kërkesat për to po vijojnë.

“Kërkesat janë në rritje, sigurisht çmimi është më i lartë, por edhe cilësia është e lartë, si dhe e garantuar. Ne u ofrojmë klientëve edhe certifikatën për produktin, por edhe për gurin”-pohon njw drejtues argjendarie.

Sipas vëzhgimeve edhe në aktorë të tjerë të tregut në Tiranë, një unazë me gur diamanti në karatin më të ulët arrin 1000 euro.

Sipas shifrave të analizuara të INSTAT, në 2018 është rritur importi i gurëve të çmuar në Shqipëri. Shifrat tregojnë për një rritje të ndjeshme me rreth 3%, për 11-mujorin 2018.

Për këtë periudhë, vlera e importuar ka arritur 1.5 mld lekë, ndërsa gjatë vitit 2017 vlera ka qenë rreth 630 mln lekë. Për këtë rritje të vlerës së importeve, edhe argjendarët në kryeqytet dëshmojnë që kërkesat kanë qenë më të larta vitin e shkuar dhe parashikojnë një tjetër vit të mirë në blerjet e bizhuterive me gurë të çmuar. Sipas tyre, ka bizhuteri me vlera të ndryshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë një të tillë, duke kurorëzuar diamantin si më të shtrenjtin në mesin e tyre.

Në shtetet kryesore nga ku importojmë kategorinë e gurëve të çmuar, pas Italisë, vjen Kina, Gjermania dhe Zvicra, ndjekur nga Vietnami, Greqia dhe Belgjika.

Orët luksoze

Ndër produktet, që konsiderohen mallra luksi, janë edhe orët. Sipas të dhënave nga Dogana, importet e orëve në Shqipëri u rritën me 71 për qind në 2016-n në krahasim me pesë vite më parë. Zyrtarisht importet shënuan një vlerë prej 3.3 milionë dollarë, nga 1.9 që kishin qenë në 2012-n.

Bizhuteritë e luksit dhe orët parapëlqehen shumë dhe se klientët besnikë, por edhe ata të rekomanduar, vijnë në këtë argjendari nga markat ndërkombëtare që ofron në këto produkte.

“Floriri po preferohet gjithnjë e më pak, ndoshta sepse pjesa më e madhe e klientëve drejtohen kryesisht për bizhuteri luksi apo ora. Vetëm një përqindje e vogël kanë pasur qëllim të blejnë bizhuteri floriri, kryesisht unaza”.

Orët, veçanërisht ato të prodhuara nga kompani me emër, janë një mënyrë e mirë “për t’u dukur” dhe me sa duket, “milionerët e rinj” në qarkullim kanë rritur importet në vend.

Padyshim që kur flasim për orët, vendi i parë që të vjen ndër mend është Zvicra. Shteti europian përpos mirëqenies, është i njohur për markat e njohura të orëve si Rolex, Audemars Piguet, Breitling, Chopard etj.

Në 2016-n, importet nga Zvicra, sipas të dhënave nga Dogana përllogariteshin rreth 1 milion dollarë. Në periudhën kohore 2012-2016, importet e orëve nga Zvicra llogariten të jenë rreth 4.5 milionë dollarë. Ndërsa eksportet e Zvicrës në të gjithë botën në 2016-n shënuan një vlerë prej 19.8 miliardë dollarë.

Vendi me peshë të lartë për sa u përket importeve në vend është Kina. Në dallim prej Zvicrës, Kina është e njohur për imitacionet e markave të famshme të orëve. Të dy vendet së bashku përbëjnë mbi 65% të totalit të importeve. Nga të dhënat e Doganës importet e orëve nga Kina kapën vlerën e 1.18 milionë dollarë

Operacionet plastike

Nëse se ka një sektor biznesi i cili padyshim konsiderohet luksi por që po sheh rritje çdo vit që kalon në Shqipëri, është ai i ndërhyrjeve estetike dhe plastike.

Sipas të dhënave që Monitor ka nxjerrë mbështetur në përpunimin e bilanceve, klinikat e kirurgjisë plastike kanë pasur rritje të ndjeshme të të ardhurave gjatë vitit 2017 në raport me 2016-n. Në 2018, xhirot e disa klinikave kanë vijuar rritje, deri dhe në dyfishim, ndërsa të tjera janë ndalur.

Korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për botox-in dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt. Megjithatë, vlen për t’u theksuar se klientët nuk janë vetëm shqiptarë. Vendi ynë po tërheq vit pas viti më tepër turistë të huaj për shërbimet që ofron. Me një çmim operacioni që shkon deri 1500 euro, rimodelimi i hundës renditet te ndërhyrjet më të kërkuara dhe të kryera në klinikat kryesore të kirurgjisë plastike në vendin tonë.

Luks apo false?

Një debat që bëhet shpesh në Shqipëri është ai mbi autenticitetin e produkteve të luksit që gjenden në treg. Shpesh, edhe njësitë tregtare të mëdha si qendrat tregtare ‘akuzohen’ për mungesë origjinaliteti. Por, sipas burimeve, markat në qendrat tregtare nuk janë false, por janë origjinale dhe janë në të njëjtin sistem, duke qenë se plotësojnë një sërë kushtesh para se të hapen në Shqipëri. Një tjetër çështje, që ka debat, është etiketa se ku është prodhuar produkti, që e bën klientit të jetë dyshues.

Në lidhje me këtë, “Made in Portugal”, “Made in Albania”, “Made in Bangladesh” sipas burimeve, është vetëm sa i përket krahut të punës, sepse materiali i produktit është po i njëjti që ka vetë firma mëmë. Sipas ekspertëve të fushës, kjo bëhet me qëllim që kur të vijë sezoni i uljeve (2 herë në vit uljet më të mëdha) firma mëmë mos të ketë humbje, pra krahu i lirë i punës i jep automatikisht mundësinë e fitimit./monitor/