Transmetuar më 07-01-2020, 21:12

Viron Bezhani ka reaguar pas deklaratës për shtyp të atyre ai i quan ish-anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, pra jo anëtarë.

Ndërkohë deklarata e tyre pretendonte se Bezhani është pezulluar nga detyra derisa të zhvillohet zgjedhje të reja, teksa ai akuzohet për shpërdorim fondesh.

Prej ditësh ka pasur një përplasje mes Bazhanit dhe disa drejtuesve të tjerë të KOKSH, mbi  fondet, që u shpërndahen sportistëve.

Reagimi i Bezhanit

Sqarim lidhur me deklaratën për shtyp të të ashtuquajturëve anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.

Jam njohur me deklaratën për shtyp të ish-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH. Dua të sqaroj mbarë opinionin publik, por në veçanti, të gjithë sportistët dhe dashamirësit e sportit, se në cilësinë e Presidentit të KOKSH-it, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk kam sulmuar apo përbaltur as KOKSH as IOC dhe as EOC, sikurse përpiqen të më akuzojnë.

Ajo çfarë unë kam bërë në gjithë këtë kohë, është vetëm sqarimi dhe publikimi i të vërtetës, me të dhëna konkrete për veprimet e paligjshme, abuzive dhe tërësisht të papranueshme të ish–Sekretarit të KOKSH, z.Stavro Bello si dhe të disa anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.

Ish–Sekretari, Stavro Bello dhe këta ish-anëtarë të Komitetit,që kërkojnë të fshehin shkeljet e tyre, dhe për më tepër, vazhdojnë të abuzojnë dhe të uzurpojnë KOKSH-in, shumë shpejt do të përballen me drejtësinë dhe do të marrin atë që meritojnë.

Lidhur me komunikimet e IOC, ju sqaroj se përsëri këta individë po tentojnë të keqinterpretojnë, të keqinformojnë dhe të intimidojnë mbarë opinionin publik, duke mashtruar dhe keqpërdorur situata të caktuara, dhe duke i transformuar tërësisht ato.

Dua të sqaroj se IOC, në gjithë këtë situatë, është munduar për ta zgjidhur atë dhe të luajë një rol të rëndësishëm ndërmjetësimi. Por këshillat e IOC, janë refuzuar të zbatohen nga Stavro Bello, duke bërë në këtë mënyrë që KOKSH të bunkerizohet dhe të tentohen të fshihen përsëri abuzimet e tij dhe disa ish-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.

Theksoj me forcë se askush, as individ, as organizëm, nuk mund të legjitimojë abuzimet apo shkeljet ligjore.

Nga ana e IOC dhe EOC, në të gjitha takimet është theksuar se në rast se ka shkelje financiare, personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi. Veprimet dhe sjellja e ish- Sekretarit Stavro Bello dhe disa si-anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, është në shkelje të vlerave olimpike dhe të parimeve të IOC dhe EOC.

Por ju siguroj, se këtë gjë, unë si President i KOKSH, nuk do ta lejoj kurrë.

Në deklaratën për shtyp të ish-anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, të drejtuar nga ish-Sekretari z.Stavro Bello, pretendojnë se vazhdojnë të jenë anëtarë të KOKSH dhe se vijojnë detyrën…

Kjo është sa qesharake po aq edhe e pavlerë, dhe në kundërshtim me Statutin.

E ashtuquajtura “Deklaratë e Komitetit Egzekutiv”, nuk është asgjë tjetër, veçse një copë leter që nuk ka asnjë vlerë ligjore, e mbushur me gënjeshtra e shpifje të pabazuara, në asnjë fakt dhe dokument ligjor.

Këto veprime janë tentativë e pastër për të privatizuar KOKSH dhe për të mbuluar abuzimet e tyre.

Deklaroj publikisht se Stavro Bello dhe disa ish-anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, kanë vepruar në kundërshtim me interesat e sportistëve, të KOKSH-it dhe të sportit në përgjithësi, dhe qëllimi i tyre ka qenë vetëm ruajtja e karriges dhe e pushtetit të tyre, duke kryer veprime antisportive.

Të gjitha veprimet e mia dhe të një pjese të Komitetit Egzekutiv, kanë vetëm për qëllim rregullimin e situatës të paprecedentë, antiligjore që egziston sot në KOKSH, situatë kjo që ka ardhur si rezultat i veprimeve në shkelje në plotë të ligjit dhe në shkelje të Statutit nga ana e ish-Sekretarit Stavro Bello.

Në mënyrë të vazhdueshme, kam kërkuar bashkëpunim dhe bashkërendimin e punëve me Komitetin Ekzekutiv, me qëllimin e vetëm që kjo situatë të rregullohej dhe çdo gjë të shkonte në normalitet dhe në ligjshmëri, por nga ana e tyre sigurisht që nuk është pranuar, sepse qëllimi i tyre ishte tjetër gjë.

Sigurisht, pranoj edhe përgjegjësitë e mia, por e gjitha kjo për arsyen e vetme të mungesës së vëmendjes dhe për arsye të besimit të tepruar ndaj ish-sekretarit.

Edhe raportet i Auditit të Brendshëm, të referuara në Asamble, janë një tjetër dëshmi e shpërdorimit flagrant të detyrës nga ish- Sekretari z. Bello.

Akti i “Pezullimit” tim nga funksioni dhe detyra e Presidentit të KOKSH-it, është sa qesharak po aq edhe antiligjor.

Unë jam President i zgjedhur me vota të lira dhe askush nuk mund t’i ç’bëjë këto vota dhe vullnetin që tregojnë ato.

Por ai akt, nuk tregon gjë tjetër, veçse hallin e madh që i ka zënë dhe frikën e madhe që kanë sepse kanë shkelur ligjin dhe statutin.

Dhe kjo është arsyeja që ish-Sekretari dezinformon zyrtarët e CIO, manipulon në mënyrë flagrante materialet e Asamblesë dhe vazhdon të shpërndaje fonde sikur t’i ketë të tijat, me qëllimin e vetëm për të siguruar mbështetje personale.

Por ju siguroj se askush, nuk mund të mbrojë këtë “aleancë” shpërdoruesish fondesh dhe shkelësish të ligjit dhe të statutit, sado të mbështetur politikisht të jenë ata.

Së fundmi, si President i zgjedhur i KOKSH, deklaroj publikisht se angazhimi im ka qenë dhe do të jetë vetëm në interes të sportit dhe të sportistëve, duke synuar vetëm transparencë dhe respektim të ligjit, të statutit dhe të rregullave nga të gjithë dhe për të gjithë.

Presidenti i KOKSH

Viron Bezhani