Transmetuar më 08-01-2020, 17:56

Presidenti i Amerikës, Donald Trump mbajti një deklaratë në përgjigje të raketave të lëshuara nga Irani drejt bazave ushtarake irakiane, ku qëndrojnë ushtarakë amerikanë.

"Për aq kohë sa do të jem Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Irani nuk do të lejohet kurrë që të ketë armë bërthamore. Ne nuk kemi vuajtur asnjë dëmtim. Të gjithë ushtarët tanë janë të sigurtë dhe kemi vetëm dëme minimale në bazat ishtarake. Irani duhet të tërhiqet, gjë që është e mirë për botën", tha Trump duke i bërë thirrje edhe shteteve të tjera që të largohen nga marrëveshja.

Presidenti foli edhe për gjeneralin Soleimani të vrarë javën e kaluar, të cilin e konsideron terroristin më të madh të të gjitha kohërave.

"Soleimani po përgatiste sulme të reja, por ne e ndaluam. Ai trajnoi ushtri terroriste, përfshirë Hezbollahun, duke filluar sulme terroriste kundër bazave civile. Ai nxiti luftëra të përgjakshme civile në të gjithë rajonin. Ai plagosi me egërsi dhe vrau mijëra trupa amerikanë, duke përfshirë mbjelljen e bombave buzë rrugës që i heqin gjymtyrët njerezve. Irani duhet të braktisë ambiciet e tij bërthamore dhe t’i japë fund mbështetjes së tij për terrorizmin," tha Trump.

Nuk harroi që të përmendte prodhimin e gazit dhe të vajit, duke thënë se Amerika është e para në të gjithë botën dhe nuk ka nevojë për Lindjen e Mesme.

"Si përfundim, për të gjithë njerëzit dhe liderët e Iranit, ne duam që të keni një të ardhme të mirë, ashtu sic e meritoni", tha Trump dhe u largua pa pranuar pyetje.

Më shumë se një duzinë raketash të lëshuara nga Irani goditën dy baza ajrore në Irbil dhe Al Asad, në perëndim të Bagdadit.

Sulmet raketore u porositën nga Teherani në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani./a.m/noa.al/