Transmetuar më 09-01-2020, 06:08

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të vendosë sanksione më të fuqishme ndaj Iranit, pas sulmit iranian me raketa kundër dy bazave ushtarake në Irak që strehojnë trupa amerikane. Në fjalimin përpara vendit ai njoftoi gjithashtu se asnjë amerikan nuk u dëmtua në sulmin e mbrëmshëm

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili më parë ka folur për shënjestrimin e zonave të shumta në Iran, pas sulmit me raketa të Republikës Islamike ndaj bazave amerikane në Irak, u tërhoq nga çdo kërcënim ushtarak kundër Iranit, duke theksuar me zë të dridhur nevojën për paqe me Iranin, nevojën për të zvogëluar praninë e SHBA-së në rajonin e Azisë Perëndimore dhe foli për interesin e përbashkët SHBA-Iran për të luftuar ISIS-in.

Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione shtesë ndaj Iranit ndërsa po vlerëson opsionet për t’ju përgjigjur agresioneve të Iranit", tha Trump.

"Ne duhet të arrijmë një marrëveshje që lejon Iranin të arrijë prosperitet dhe të gëzojë potencialet e tij të jashtëzakonshme. Irani mund të bëhet një vend i shkëlqyeshëm", shtoi Trump.

Ai njoftoi se ka pasur dëme materiale në bazat ushtarake të goditura nga raketat iraniane, por jo edhe viktima apo të plagosur në radhët e amerikanëve. “Forcat amerikane janë të përgatitura për të gjithë. Nuk ka jetë të humbura për shkak të sistemit të hershëm të paralajmërimit i cili punon shumë mirë”, u shpreh ai. “Shtetet e Bashkuara menjëherë do të vendosin sanksione shtesë ndëshkuese ekonomike ndaj regjimit iranian”, tha Trump.

Në fund të fjalëve të tij, Trump foli për armiqësinë e ISIS-it ndaj Iranit dhe bëri thirrje për bashkëpunimin e Iranit në luftën me grupin terrorist.

"Dhjetëra mijëra militantë të ISIS janë vrarë ose kapur gjatë qeverisjes time. ISIS është armiku natyror i Iranit. Shkatërrimi i ISIS është i mirë për Iranin, dhe ne duhet të punojmë së bashku për këtë dhe përparësitë e tjera të përbashkëta. Më në fund, unë u them popullit dhe zyrtarëve iranianë se ne duam që ju të keni një të ardhme, një të ardhme të shkëlqyeshme që ju e meritoni, një e ardhme që, së bashku me kombet e botës, ju sjell prosperitet", deklaroi Trump. "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përqafojnë paqen me të gjithë ata që e kërkojnë atë," tha presidenti amerikan në fund.

Fillimisht Trump foli për sulme ndaj Iranit…

Presidenti amerikan u zotua të dielën se Shtetet e Bashkuara do të godasin “shumë rëndë dhe shumë shpejt” në 52 objektiva iraniane nëse ai vend kryen sulme ndaj personelit apo interesave amerikane. Numri 52 përfaqëson numrin e amerikanëve që Teherani mori peng për 444 ditë në vitin 1979.

“Ata lejohen të vrasin njerëzit tanë”, u tha Presidenti gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One. “Ata lejohen të torturojnë dhe gjymtojnë njerëzit tanë. Ata lejohet të përdorin bomba në rrugë dhe të vrasin njerëzit tanë dhe ne nuk na lejohet të prekim vendet e tyre kulturore? Kjo nuk funksionon siç duan ata.”

Presidenti iranian Hassan Rouhani hodhi poshtë kërcënimin e presidentit amerikan të hënën duke postuar në rrjetin Twitter: “Ata që i referohen numrit 52 duhet gjithashtu të kujtojnë numrin 290. #IR655. Kurrë mos e kërcënoni kombin iranian”.

Udhëheqësi iranian i referohej vitit 1988 kur Shtetet e Bashkuara gabimisht qëlluan dhe rrëzuan një avion iranian pasagjerësh në Gjirin Persik duke vrarë të 290 njerëzit në bord. Presidenti Ronald Reagan pati shprehur keqardhje të thellë rreth incidentit ndërsa Shtetet e Bashkuara paguan rreth 62 milion dollarë dëmshpërblim për familjet e viktimave.