Transmetuar më 10-01-2020, 20:26

U mblodhën sot nga Akademia e Shkencave, në një konferencë në Tiranë, ekspertë dhe akademikë nga rajoni, ku u diskutuan ndër të tjera përpilimi i kodit të ri teknik për ndërtimet, me qëllim që t’i rezistojnë forcës së tërmetit, ashtu siç e kanë edhe gjithë vendet europiane.

Shqipëria u gjend e papërgatitur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, qoftë edhe përmes studimeve shkencore. Ndonëse tërmetet nuk mund të parashikohen, vende të tjera të zonave sizmike kryesojnë studime të thella, për t’i paraprirë apo për të përballuar sa më mirë mundësinë e rënies së një tërmeti të fortë.

Tërmeti i 26 nëntorit është padyshim mësim për Shqipërinë, e cila është ende në fuqi kodi i vjetër prej tre dekadash, me kushtet e vjetra teknike, antisizmike

Profesori i mirënjohur grek i gjeologjisë në Universitetin e Selanikut, Spiros Pavlidesi i bëri thirrje qeverisë tonë të miratojë hartën e re sizmike, pas tërmetit te 26 nëntorit.

Profesor Pavlidesi propozon madje që Shqipëria mos t’i referohet vetëm eurokodeve por të përpilojë një kod të sajin siç ka bërë Greqia.

“Shqipëria është një nga vendet më sizmike të rajonit. Nuk mund të bëhen parashikime për tërmetet por në bazë të statistikave, çdo 30 vjet në Shqipëri ndodh një tërmet i fuqishëm”, – theksoi profesori grek.

“Duhet të ndërmerren hapa shkencore, – shtoi Pavlidesi, – “dhe ligjore në mënyrë që qëndrimet e reja të jenë të qëndrueshme. Ne në Greqi kemi kodet më të mira sepse ishin tërmetet ata që na përcaktuan kodet e reja.”

“Sot kemi kodet greke dhe europiane, por në disa pjesë kodi grek është më i mirë. Harta sizmike dhe kodet ne i ndryshojmë çdo 5 vjet, në varësi të studimeve dhe rezultateve Akademia e shkencave dhe ekspertet e sizmologjisë po përgatitin hartën e re sizmike dhe propozimet për kodet e reja të ndërtimit”, theksoi ndër të tjera sizmologu grek, Spyros Pavlides.

Edhe në Fakultetin e Gjeologji-Minierave profesori grek tha se studimi i lëvizjeve tektonike, të cilat shkaktojnë tërmete, si dhe historiku i tyre në këtë pjesë te Europës, japin një pasqyrë më të qartë për frekuencën e tyre, çka duhet të ndërgjegjësojë më tepër autoritetet dhe popullsinë.

Për shkak se konsiderohet një zonë e lartë sizmike, Japonia vazhdimisht kryen studime dhe ka kodin më të mirë./NOA.al