Transmetuar më 13-01-2020, 11:59

I bllokohet një copë kokoshkë në gojë dhe i rrezikon jetën. Zjarrfikësi anglez Adam Martin, 41 vjeç nga Coverack, u prek nga një infeksion vdekjeprurës, prej të cilit u detyrua që të operohet pasi një copë kokoshkë i ngeci në gojë.

Adam tentoi në çdo formë për të nxjerrë trupin e huaj, por të gjitha tentativat rezultuan të kota.

Tentoi me gishta, me fill për dhëmbët, madje edhe me gozhdë, por asgjë nuk i shërbeu. Pas disa ditësh ai nisi që të kishte dhimbje dhëmbësh dhe një javë më vonë u ndje shumë keq gjatë natës, duke ndjerë një shtrëngim të fortë në zemër.

Kjo pasi në gojë ishte përhapur një infeksion i keq, i cili kishte hyrë në kontakt me gjakun dhe kishte arritur deri në zemër.

“Infeksioni më shkatërroi totalisht valvulat kardiake”, deklaroi ai pas ndërhyrjes. Gjithçka nisi kur po hante kokoshka në ditët e para të janarit, ashtu siç kishte bërë edhe herë të tjera, por as që e kishte menduar për pasojat që do të kishte.

“Fillimisht mendova se kisha grip, por më pas në spital vunë re se kisha një problem në zemër, i cili rezultoi infeksion. Sipas mjekëve, nëse do të kisha pritur më shumë kohë mund të kisha vdekur. Jam me fat. Ajo që di me siguri, është se nuk do të konsumoj më kokoshka”, tha Martin për mediat vendase. /a.y/noa.al