Transmetuar më 14-01-2020, 12:09

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një deklaratë për mediat bëri me dije se 2020 është viti i zgjedhjeve për drejtues të Universiteteve Publike. Shahini bëri me dije se në maj skadon afati i drejtuesve aktualë dhe në datën 8 maj do mbahen zgjedhjet e reja.

“Në maj, skadon mandati i drejtuesve të Universiteteve publike. Kemi shpallur datën e zgjedhjeve për të gjitha stukturat e reja drejtuese dhe është data 8 maj 2020. Fushata fillon 30 ditë para, pra në datën 9 prill. Universitetetet janë të detyruara të publikojnë dy muaj, pra 60 ditë para rregulloren. Sigurojmë se këto zgjedhje do jenë të mira, të drejta dhe jo diskriminuese”, u shpreh Shahini.

Më tej Shahini preku edhe çëshjten e ankesave jo vetëm të studentëve, por edhe të strukturave drejtuese të Universitetit të Tiranës. Ajo u shpreh se grupi i i punës që u ngrit për inspektimin e situatës në dhjetor doli në konkluzion se ankesat buronin nga refuzimi i zbatimit të ligjit nga rektori i Universitetit, Mynyr Koni.

“Kam marrë shumë ankesa nga Universiteti i Tiranë dhe se situata nuk është përmirësuar. Në nëntor ngrita një grup inspektimi dhe ata e bënë këtë punë në dhjetor, ku konkluduan se ankesat nuk vijnë ngaqë ka paqartësi në ligje apo urdhëra që nxjerrim ne, por vijnë si rezultat i refuzimit të zbatimit të tyre nga rektori. Shpresojmë që zgjedhjet 2020 do të prodhojnë udhëheqës që punojnë për të mirën e Universitetit”, deklaroi Shahini./b.l/noa.al/