Transmetuar më 15-01-2020, 08:30

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla jep një mesazh me rastin e 28-vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar.

Ai publikon dy foto me simbolin e FRESSH dhe kujton se më 15 Janar 1992 me nismën e disa djemve vajzave, studentë e gjimnazistë, të cilët në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri përqafuan vlerat e socialdemokracisë europiane, lindi organizata më madhe politike rinore në Shqipëri: Forumi i Rinisë Eurosocialiste.

Ai thotë se misioni i FRESSH ishte dhe mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se nuk është aspak e rastësishme që ky orientim i spikatur i të rinjve eurosocialistë shqiptarë, u gdhend edhe në simbolin e parë të FRESSH: një lulëkuqe kuq e zi (simboli i parë i Partisë Socialiste) përkrah 12 yjeve të Bashkimit Europian.

FRESSH nuk ishte dhe nuk është vetëm organizata më e madhe politike rinore në Shqipëri për nga numri i anëtarëve ndër vite, por sipas Ballës, gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në historinë politike të familjes socialiste dhe të politikës shqiptare.

“Sot FRESSH është një pjesë e rëndësishme e strukturës së Partisë Socialiste në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Vajza dhe djem freshistë janë çdo ditë të angazhuar në shumë inicijativa rinore e plot nisma sociale për t’ju gjendur pranë njerëzve në nevojë apo si vullnetarë të palodhur të Shqipërisë solidare. Faleminderit FRESSH! Gëzuar të dashur motra dhe vëllezër freshista!”, shkruan Balla. /a.y/noa.al