Transmetuar më 15-01-2020, 14:27

Ulja në një tryezë diskutimi me mazhorancën dhe opozitën e re parlamentare, për liderin demokrat Lulzim Basha, nuk do të thotë se reforma zgjedhore do të diktohet nga qeveria. Në një konferencë për mediat një ditë pas marrëveshjes politike që e bën edhe opozitën jashtëparlamentare pjesë të reformës zgjedhore, Basha, tha se asnjë nuk ndryshon nga kërkesat e opozitës së bashkuar, ku më kryesorja siç tha ai, është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme të cilat duhet të mbahen në një ditë me ato lokale.

Sipas Bashës, tre konkluzionet mes palëve, nuk u arritën për shkak të zemërgjerësisë së palës tjetër, por u arritën për shkak të presionit ndërkombëtar për të shtyrë para axhendën e shëndoshjes së demokracisë dhe dhënies së shqiptarëve shansin e votës si çdo vend tjetër europian.

“Falenderim të thellë për Bundestagun gjerman, SHBA dhe BE, në veçanti për ambasadorin britanik mes të cilit u vu në lëvizje mekanizmi që çoi në plotësimin e tre kërkesave të opozitës. Jam këtu për të garantuar shqiptarët, demokratët, mbështetësit e opozitës së bashkuar, socialistët e zhgënjyer, rininë shqiptare se procesi që do të nisim ka vetëm një qëllim të kthejë lirinë e votës të kthejë mundësinë që çdo shqiptar të vendosë qeverinë që do, kryebashkiakët që do, parlamentin që do e t’i shkarkojë ata me votë të lirë si në çdo vend europian.

Nuk bëhet beteja as për karriget tona, as për fatet tona politike, i dogjëm mandatet për të treguar se demokracia ishte në grahmat e fundit, sakrifica e mandateve të djegura solli atë që çdokush e konsideronte të pamundur, vetëdijësimin e perëndimit se Shqipëria ka nevojë për vëmendje dhe ndihmë”, tha Basha.

Më tej kryedemokrati tha se ky është vetëm fillimi i një beteje që do të konsiderohet e fituar kur të kemi një qeveri në Parlament të dalë nga vota e qytetarëve. Për opozitën objekitivi politik është i qartë, largimi një orë e më parë i kësaj qeverie me zgjedhje të lira e të ndershme, që do i paraprijë një reformë zgjedhore.

"Kushti i parë është miratimi i reformës zgjedhore. Është i vetmi kusht ku opozita ka një rol për të luajtur, dhe e ka luajtur me vetëdije të plotë, në shërbim të një interesi të vetëm, të qytetarëve shqiptarë. Po të ishte për interesa meskine kishte dhjetëra rrugë të tjera, që i kemi refuzuar me përbuzje. Kurrë s’ka qenë më ulërtise kërkesa për ndryshim. Ditë për ditë zbulohen kryebashkiakë me rekorde kriminale, qytetarët bien viktima të sundit të krimit. Rruga e vetme për të dalë është të bashkojmë forcat, e cdo force politike, qytetari, pensionisti, shoqëri civile, studenti, për të vendosur edhe këtu ato standarde", u shpreh Basha.

Sipas tij, "E gjitha kjo është produkt i bashkëjetëses së politikës me krimit, dhe grabitjes së gjithckaje, nga një grusht njerëzish. Kjo është partia e babëzisë. Mundja e tyre, dhe shporrja nga zaptimi i institucioneve është synimi i vetëm i opozitës”./b.l/noa.al/