Transmetuar më 15-01-2020, 16:39

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dekoruar me "Medalje Nderi", 19 punonjës të Policisë së Shtetit, pas kontributit të tyre gjatë periudhës së vështirë që kaloi vendi pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gjatë fjalës së tij, Lleshaj tha se tërmeti na bëri të kuptojmë se me çfarë niveli kemi të bëjmë në Policinë e Shtetit, teksa solli në vëmendje edhe situata të tjera të vështira të kaluara nga ky institucion përgjatë gjithë vitit 2019.

"Janë thënë shumë fjalë për performancën dhe angazhimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, nga niveli më i ulët, te niveli më i lartë, nga periferia në qendër. Gjatë vitit 2019 e më parë, por për vitin 2019, që unë e kam konsideruar vërtet si një vit tektonik në të gjitha planet, me tektonika të shumta, jo vetëm ato fiziket, por dhe në fushën e politikës e në fusha të tjera, Policia e Shtetit është sfiduar dhe është vënë përballë barrëve të mëdha dhe provave të mëdha. Dhe këtu ka patur angazhim, ka patur performancë", u shpreh Lleshaj.

Më tej ai shtoi se tërmeti është vetëm njëri prej tyre, që na dha të kuptojmë se me kë kemi të bëjmë, pra me çfarë niveli angazhimi, profesionalizmi, qytetarie, trimërie kemi të bëjmë me Policinë e Shtetit dhe struktura e tjera, por meqenëse jemi për Policinë e Shtetit.

"Në të njëjtën kohë, edhe gjithë viti 2019 na ka ballafaquar me shembuj të jashtëzakonshëm angazhimi të punonjësve të Policisë së Shtetit. Qeveria shqiptare është plotësisht e qartë për rëndësinë që duhet t’i kushtohet sigurisë në tërësi, policisë në veçanti, është mjaft e motivuar. Para pak ditësh, ju patë RENEA-n.

Do punojmë për të filluar punën e konceptimit dhe planifikimit të një qendre të tillë të ngjashme, edhe për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Do të punohet për kampusin e ri të Policisë së Shtetit, i cili do t’i japë Policisë së Shtetit një infrastrukturë krejtësisht të re, të panjohur më parë në kuptimin e standardeve", tha ai./b.l/noa.al/