Transmetuar më 15-01-2020, 19:38

Dy diplomatët iranianë, të cilët u dëbuan nga Shqipëria kanë qenë bashkëpunëtorë të Kasem Solemanit, i cili u vra nga Amerika me urdhër të Presidentit Donald Trump.

Burime të qeverisë shqiptare, i thanë Zërit të Amerikës se dy diplomatët po dëbohen për aktivitete kundër grupit MEK.

Sipas atyre, atasheu kulturor Seyed Ahmed Hosseini Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike dhe Mohamed Peimanemati ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit Mois dhe ishte përgjegjës për disa akte terroriste në vendet e BE-së.

Vendimi për tu dëbuar u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, në një postim në Facebook. Sipas tij të dy diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, kanë zhvilluar “veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, shkruan Cakaj.

Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga vendi pasi dyshoheshin të ishin përfshirë “në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend”.

Në atë kohë, ministria e Jashtme shqiptare saktësoi se vendimi ishte marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik./voa/