Transmetuar më 16-01-2020, 09:11
Lenda narkotike dhe armet e sekuestruara

Një operacion i policisë së Kurbinit i koduar “Zheja” ka goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga dy persona.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy persona dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta shitur, u bë organizimi i operacionit.

Kështu gjatë mbrëmjes së të mërkurës u bë arrestimi i J. (K). Rr., 49 vjeç dhe E. Rr., 20 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin.

Efektivët e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e J. (K.) Rr,  gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik, një sasi municioni luftarak, 22 metër fitil detonator zjarrpërcjellës dhe 15.5 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kërkonin treg për të shitur lëndën narkotike.

Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Kurbinit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ”, kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al